Lidhje

Rëndohet gjendja në Sudanin e Jugut


Kombet e Bashkuara thonë se gjendja në shtetin Jonglei të Sudanit të Jugut është keqësuar dhe njoftohet se një grup të rinjsh kanë hyrë me forcë në një bazë të OKB-së ku strehoheshin civilë. Zyrtarët thonë se duhet të ketë viktima, por nuk pranojnë të konfirmojnë numrin.

Kombet e Bashkuara thonë njoftohet që të rinj të grupit Lou Nuer kanë hyrë në një bazë të përkohëshme të Misionit të OKB-së në Sudanin e Jugut (UNMISS) në Akobo të shtetit Jonglei. Kombet e Bashkuara thanë se po përpiqen të nxjerrin personelin e paarmatosur nga zona, ndërkohë që kanë dërguar 60 paqeruajtës shtesë si përforcime në bazë.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Jan Eliasson tha në komentet për shtyp se po punojnë për të verifikuar njoftimet për viktima:

"Baza jonë në Akobo në shtetin Jonglei u sulmua dhe kemi njoftime se ka pasur humbje jete. Ende nuk kemi hollësi. Unë dhe Sekretari i Përgjithshëm e dënojmë me termat më të forta sulmin”.

Grupi Lou Nuer ka lidhje me Riek Machar, ish-nënpresidenti i Sudanit të Jugut, i cili u dëbua nga posti nga Presidenti Salva Kiir në korrik.

Zoti Kiir, i grupit etnik Dinka, ka akuzuar zotin Machar dhe përkrahësit e tij se janë përpjekur të organizojnë një grusht shteti kundër qeverisë së tij disa ditë më parë, duke shkaktuar dhunë që sipas zyrtarëve ka lënë të vrarë rreth 500 vetë.

Zoti Eliasson u bëri thirrje të dyja palëve të fillojnë bisedimet, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të mos lejuar shkallëzimin e dhunës.

"Kemi të bëjmë me një krizë politike që kërkon dialog politik në mënyrë urgjente. Dhuna po përhapet dhe mund të shtrihet edhe më gjerë. Duam që të gjithë udhëheqësit dhe figurat politike të Sudanit të Jugut të bëjnë thirrje për qetësi dhe t’u kërkojnë përkrahësve të ndalin dhunën”.

Ndërkaq situata në Juba, ku dhuna shpërtheu të dielën, duket më e qetë dje. Por Kombet e Bashkuara thonë se civilët vazhdojnë të kërkojnë mbrojtje, përfshirë një grup studentësh nga Universiteti i Jubas, ku të mërkurën pati njoftime të pakonfirmuara se forcat e sigurisë kishin vrarë disa studentë.

Paqeruajtësit po përpiqen të futen në kompleksin Kator në Juba, ku nga 2000-5000 civilë kanë kërkuar strehim dhe ndihmën e paqeruajtësve për mbrojtje.

Kombet e Bashkuara kanë një forcë prej 7600 paqeruajtësish dhe policësh në Sudanin e Jugut, me mandatin për të mbrojtur civilët.
XS
SM
MD
LG