Lidhje

Vazhdojnë ceremonitë e Jubileut të Diamantë


Mbretëresha Elizabetë iu bashkua sot flotiljes me mbi 1 mijë anije që lundruan nëpër Lumin Tamiz

Mbretëresha Elizabetë e Britanisë iu bashkua sot flotiljes me mbi 1 mijë anije që lundruan nëpër Lumin Tamiz, në kuadër të festimeve me rastin e 60 vjetorit të hipjes së saj në fron.

Qindra mijëra vetë u mblodhën anës lumit për të përshëndetur Mbretëreshën në një spektakël të përmasave madhështore që nuk është organizuar prej 350 vjetësh. Ceremonitë u zhvilluan sot në një det ngjyrash kuq, bardh e blu të flamurit britanik, që zbukuronin çdo cep të kryeqytetit.

Mbretëresha, e veshur me një fustan ngjyrë argjend dhe të bardhë byzëqeshte dhe përshëndeste turmën entuziaste, përkrah të shoqit, Princit Philip, djalit Çarls si dhe nipit Uilliam.

Princi Çarls dhe bashkëshortja e tij Camilla kryesuan sot ceremonitë e ditës në kuadër të jubileut për 60 vjetorin e hipjes në fron të Mbretëreshës Elizabetë.

Çifti Çarls dhe Camilla u bashkuan me londinezët që ishin mbledhur për një drekë jubilare në kryeqytet.

Festimet që filluan dje, vazhdojnë për katër ditë dhe janë një mënyrë për të mbajtur gjallë interesin e publiku britanik për familjen mbretërore. Miliona vetë pritet t'i ndjekin këto aktivitete që mbyllen të martën.
XS
SM
MD
LG