Lidhje

Junis Shrajvër hapi një kamp veror falas për fëmijët me të meta


Junis Shrajvër hapi një kamp veror falas për fëmijët me të meta
Junis Shrajvër hapi një kamp veror falas për fëmijët me të meta

Junis Kenedi Shrajvër ia kushtoi jetën e saj punës në ndihmë të njerëzve, që për një kohë të gjatë ishin individë të harruar nga shoqëria, pasi kishin lindur me të meta mendore e fizike. Junis Kenedi Shrajvër është personi që e ndryshoi këtë realitet.

Gjatë administratës së Xhon Kenedit, Junis Shrajvër vazhdoi punën në fondacionin e familjes. Ajo influencoi vëllain e saj që të krijonte një komision për të studjuar arsyet e mungesës së zhvillimit mendor. Kjo përpjekje çoi në krijimin e Institutit Kombëtar për Zhvillimin Human dhe Shëndetsor të Fëmijëve në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë.

Në vitin 1962, zonja Shrajvër botoi një artikull të rëndësishëm në gazetën Saturday Evening Post me titull "Shpresë për fëmijët me të meta mendore". Ajo shkroi hapur rreth gjendjes së motrës së saj Rosmeri. Për vite me rradhë, ky kishte qënë një sekret i familjes.

Junis Shrajvër e përdori gjendjen e motrës së saj Rosmari si shembull për të mos i trajtuar ndryshe njerëzit me aftësi të kufizuara. Përkundrazi, thoshte ajo, këta njerëz duhet të trajtohen si qytetarë të dobishëm dhe t’u ofrohet arsim dhe trajnim i posaçëm. Ajo thoshte se familjet e njerëzve me aftësi të kufizuara nuk kishin mbështetjen e kominitetit ose ndihmë mjekësore. Zonja Kenedi-Shrajver jepte shembuj të prindërve që përpiqeshin me të gjitha mënyrat për t’ua përmirësuar jetën fëmijëve të tyre me aftësi të kufizuara.

"Mendoni për një familje, për nënat, që ë duan shumë fëmijën, por ndjehen tepër të vetmuara. Fëmijët e tyre nuk kanë bërë asgjë të keqe, asnjë krim apo padrejtësi. Ata janë viktimat më të pafajshme të botës, e megjithatë ata vuajnë thjeshtë sepse janë ndryshe nga të tjerët".

Zonja Shrajvër hapi gjithashtu një kamp veror falas për fëmijët me të meta mendore. Kjo ide i lindi kur një nënë i tha se nuk ekzistonte një kamp veror për të çuar fëmijën e saj. Prandaj Junis Shrajvër mori iniciativën për të bërë diçka në këtë drejtim. Ajo hapi Kampin Shrajvër në shtëpinë e saj në Merilend për t’u ofruar fëmijëve me aftësi të kufizuara një program veror argëtues plot me aktivitete fizike. Edhe fëmijët e tjerë ishin të mirëpritur të shkonin në këtë kamp. Ajo mori në punë një numër të madh punonjësish që të gjithë fëmijëve t’u kushtohej vëmendja e duhur. Madje ajo u kërkoi nxënësve të shkollave private që të shërbenin vullnetarisht në kampin e saj. Zonja Shrajvër ishte drejtpërdrejt e angazhuar në punën e kampit, madje ajo luante me fëmijët.

"Këta fëmijë nuk duhet të përjashtohen nga diçka që mund të ndryshojë jetën e tyre dhe mund të krijojë tek ta një vizion të ri, dhe t’u japë gjithashtu prindërve një vizion të ri rreth fëmijëve të tyre".

Në vitin 1968, Junis Shrajvër organizoi lojrat e para olimpike për njerëzit me aftësi të kufizuara në Çikago të shtetit Ilinoi.

"Në Romën e vjetër, gladiatorët shkonin në arenë me këto fjalë: do të përpiqem të fitoj, por edhe nëse nuk mund të fitoj, do të jem guximtar në këtë përpjekje. Sot, të gjithë ju atletë të rinj jeni në arenë. Shumë prej jush do të fitoni, por ajo që është më e rëndësishme, unë e di se ju do të jeni të guximshëm dhe do t’i sillni krenari prindërve dhe vendit tuaj. Le të fillojmë Olimpiadën Speciale".

Rreth një mijë konkurrentë nga 26 shtete amerikane dhe Kanadaja morën pjesë në këtë aktivitet. Ata konkuruan në sporte të ndryshme. Në atë kohë, konkurrimi ishte në baza vullnetare. Më parë, njerëzit me të meta mendore shpesh nuk lejoheshin të mernin pjesë në aktivitete fizike për shkak të shqetësimit se ata mund të dëmtoheshin dhe nuk ishin të aftë të konkurronin. Zonja Shrajvër tha se Olimpiada Speciale provoi një fakt shumë të rëndësishëm: se fëmijët me të meta fizike e mendore mund të jenë atletë të mrekullueshëm.

Sot Olimpiada Speciale është zgjeruar dhe përfshin rreth 3 milionë atletë nga më shumë se 150 vende.

"Le të mos harrojmë se na duhet të punojmë edhe më shumë për të ndryshuar paragjykimin dhe shtypjen, që përjetojnë 180 milionë qytetarët e botës me të meta mendore".

Junis Kenedi Shrajvër e vazhdoi punën e saj për njerëzit me aftësi të kufizuara edhe në mënyra të tjera. Ajo krijoi një organizatë të quajtur Komuniteti i Kujdesit, e cila punon për të ulur rastet e shtatzanive mes adoleshenteve dhe edukon të rinjtë që të krijojnë komunitete, që kujdesen dhe respektojnë të gjithë njerëzit.

Zonja Shrajvër u nderua me shumë çmime për punën e saj, përfshirë çmimin Legjoni Francez i Nderit dhe Medalja Presidenciale e Lirisë, nderi më i lartë civil i Amerikës.

Junis Kenedi Shrajvër vdiq në gusht të vitit 2009 pas disa goditjesh në tru. Arnold Schwarzenegger në atë kohë guvernatori i Kalifornisë dhe njëkohësisht bashkëshorti i vajzës së saj, tha se Junis ishte drita e familjes. Ai tha se puna e zonjës Shrajvër për përmirësimin e jetës së njerëzve me aftësi të kufiaura ndryshoi jetën e miliona individëve të tillë në të gjithë botën.

Pjesën e plotë rreth jetës së Junis Kenedi Shrajvër mund ta gjeni në faqen tonë të Internetit, në adresën zeriiamerikës.com

XS
SM
MD
LG