Lidhje

Kërkesat e Tienanmenit aktuale edhe sot

  • William Ide

Kanë kaluar 25 vjet që kur Kina shtypi me dhunë demonstratat pro-demokracisë në sheshin Tiananmen. Udhëheqja e Kinës ka marrë masa të forta për të mos lejuar diskutimin e ngjarjeve të vitit 1989, pra protestat masive që u zhvilluan atë pranverë në Pekin dhe në qytete të tjera të Kinës si dhe shtypja e përgjakshme e tyre. Por megjithë masat shtypëse, kërkesat e studentëve dhe qytetarëve që mbushën rrugët ato ditë, nuk kanë marrë fund.

Në pranverën e vitit 1989, kërkesat për ndryshime u përhapën nga sheshi Tiananmen në rrugët e Pekinit dhe në mbarë vendin.

Fang Zheng ishte një atlet premtues në Univeristetin e Pekinit. Shpresat për reforma ishin të larta, kujton ai:

"Studentët e universiteteve në vitet '80 kishin të gjithë qëndrime të ngjashme dhe ishin shumë idealistë. Ne kishin një ndjenjë të fortë përgjegjësie sociale dhe shqetësim për fatin e vendit ".

Por gjithçka ndryshoi atë mëngjes të 4 qershorit për vendin dhe Fang Zheng-un. Tanku e shkeli atletin e ri, duke ia prerë të dyja këmbët.

“Qeveria përdori armët, shtypjen dhe gjakderdhjen për të çimentuar autoritetin e vet dhe si përgjigje ndaj protestuesve. Kjo e largoi Kinën edhe në shumë nga rruga e reformave. Korrupsioni sot është më i lartë se 25 vjet më parë dhe privilegjet e zyrtarëve më të mëdha,” thotë ai.

Protestuesit kishin shtatë kërkesa, mes tyre, që zyrtarët dhe familjarët e tyre të tregonin të ardhurat dhe që ata të kishin të drejtë të protestonin në Pekin.

Edhe sot, një çerek shekulli më vonë, këto dy aspirata mbeten synime të largëta.

Zyrtarët kinezë thonë se i kanë hapur luftë pa kompromis korrupsionit, por thirrjet për deklarimin e pasurive të zyrtarëve kanë ndeshur rezistencë të fortë.

Gazetari me përvojë nga Hong Kongu, Ching Cheong, thotë se ndërsa presidenti Xi Jinping ka filluar reformimin e ekonomisë kineze, ai ka qëndruar në heshtje përsa i përket dëshirave bazë të publikut kinez:

"… Dhe çfarë dëshirojnë njerëzit? Ata duan ndarjen e pushtetit, kontroll dhe balancim në ushtrimin e kompetencave dhe të gëzojnë gjitha të drejtat kushtetuese që u takojnë."

Protestat nuk janë të pazakonta dhe ato garantohen nga Kushtetuta kineze, për sa kohë që ato nuk bien ndesh me interesat e shtetit.

Andrew Nathan, studjues i politikave në Univeritetin Columbia në New York, thotë se protestuesit në vitin 1989 kërkonin dialog me qeverinë:

"Në vitin 1989, partia në pushtet mendonte se në se ulej për dialog, kërkesat e protestuese mund të shtoheshin dhe ata nuk do të ishin dot më sundimtarët e vendit”.

Qëndrimi i Kinës për Tiananmen-in është se ajo ishte një kryengritje kundër-revolucionare. … Dhe ashtu si refuzimi i atëhershëm për të biseduar me studentët, nuk ka shenja se Pekini ka për ta ndryshuar qëndrimin e vet në të ardhmen e afërt.
XS
SM
MD
LG