Lidhje

Kabineti i ri i Greqisë bën betimin


Kabineti i ri i Greqisë bën betimin
Kabineti i ri i Greqisë bën betimin

Kabineti i ri i Greqisë bëri sot betimin. Kryeministri grek Jorgo Papandreu e riorganizoi kabinetin e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së vendit, që ka vënë në rrezik stabilitetin e monedhës së përbashkët evropiane. Ministri i Financës Jorgo Papakostantinu mbeti në postin ndërsa u ndryshuan ministrat e Zhvillimit, Punës, dhe Shëndetësisë. Në përgjithësi, ky riorganizim nuk ka sjellë shumë politikanë të rinj në qeveri.

Ministrat grekë e bënë betimin në pallatin presidencial në një cerenomi tradicionale para kryepeshkopit Ieronymos.

Kryeministri grek Jorgo Papandreu riorganizoi kabinetin e tij në përpjekje për të zgjidhur më mirë krizën e borxheve. Ai sinjalizoi ndjekjen e të njëjtës politikë fiskale duke lënë të pandryshuar ministrin e tij të financave.

Më pak se një vit pasi erdhi në pushtet, kryeministri Papandreu ndryshoi disa ministra në përpjekje për të forcuar ministritë që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe problemet kronike si shëndetësia dhe sigurimet shoqërore. Por ai solli pak emra të rinj në kabinetin e tij.

Zgjedhjet lokale të nëntorit detyruan disa nga ndryshimet ndërkohë që tre zëvendësministra do të kandidojnë për poste, por zoti Papandreu shfrytëzoi rastin për të bërë ndryshime më të gjera.

Ndryshimet nuk pritet të ndikojnë në shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave të kërkuara nga plani i FMN-së dhe BE-së që shpëtoi Greqinë nga falimentimi.

Analistët thonë se zoti Papandreu u shty nga forca kundërshtuese: nga njëra anë bota e biznesit kërkon vazhdimësi të politikave por nga ana tjetër anketat tregojnë se publiku kërkon ndryshime dhe disa ministra janë parë si të pazotë.

Pasi hyri në krizë pas 16 vjetësh, ekonomia e Greqisë pritet të tkurret 4 përqind këtë vit. Papunësia dhe inflacioni vazhdojnë të rriten. Qeveria është e shqetësuar për qëndrueshmërinë sociale ndërsa masat shtrënguese do të bëhen realitet pas verës dhe shumë analistë parashikojnë trazira ndërsa grekët kthehen nga pushimet për t’u përballur me kohë të vështira përpara në dimër.

XS
SM
MD
LG