Lidhje

Albumi i parë i këngëtares country Kacey Musgraves

  • Meri Morningstar

Këngëtarja dhe kompozitorja e muzikës country Kacey Musgraves fitoi famë në vitin 2007 në emisionin për talente të reja "Nashville Star" të rrjetit televiziv USA. Por, deri vitin e kaluar, ajo ende nuk kishte nënshkruar kontratë me ndonjë nga shtëpitë e mëdha diskografike. Ky fakt ndryshoi pas marrëveshjes me Mercury Records. Albumi i parë i Kacey Musgraves titullohet "Same Trailer Different Park".





Vitin e kaluar, Kacey Musgraves zuri vend në listën e 10 këngëve më të mira country me “Merry Go Around”. Kënga arriti më shumë se gjysmë milioni shkarkime dixhitale gjatë shtatë muajve të fundit dhe siguroi për Kacey Musgraves tre emërime për Çmimet e Akademisë së Muzikës Country. Ajo po krahasohet me këngëtaren tjetër nga Teksasi Miranda Lambert. Në fakt, ato e kanë një lidhje: Kacey është bashkëautore e këngës së suksesshme të Miranda Lambertit, "Mama’s Broken Heart". Kacey Musgraves është gjithashtu bashkëautore e të gjitha këngëve të albumit të saj të ri, "Same Trailer Different Park". Këngëtarja 24-vjeçare, shpjegon se çfarë e frymëzon për muzikën e saj.

"Më pëlqen të vështroj gjërat, qoftë nëse bëhet fjalë për mua vetë apo për njerëzit e tjerë. Do të thoja se frymëzohem nga çdo lloj emocioni. Dua që këngët e mia të reflektojnë emocione të plota. Nuk doja që toni i përgjithshëm të ishte i zemëruar apo i trishtuar. Mendoj se në album gjenden elementë të çdo gjëje."

Albumi "Same Trailer Different Park " hyri në tabelën e klasifikimit të Albumeve Country në vendin e parë, duke bërë që Kacey Musgraves të jetë artistja e parë soliste femër që arrin këtë në pesë vjet. Album kombinon një shumëllojshmëri stilesh muzikore, duke përfshirë rrymat country, pop, blues-rock dhe rockabilly.

Kritikët i kanë vlerësuar lartë këngët e shkruara nga Kacey Musgraves, duke përfshirë “ gazetën “Washington Post”, e cila shkruante se albumi i saj "Përmban disa prej historive të treguara më drejtpërdrejt që mund të pritet nga një album me 12 këngë". Kacey Musgraves thotë se ajo shpreson që dëgjuesit të gjejnë veten tek tekstet e saj.

"Shpresoj që kur njerëzit të dëgjojnë albumin... – natyrisht së pari do doja që ta pëlqejnë – por gjithashtu shpresoj që të kuptojnë se unë jam ndikuar nga lloje të ndryshme gjërash, dhe uroj që ata të gjejnë vetveten aty, në një farë mënyre . Në qoftë se do të mund të bëja që dikush të ndjente diçka, atëherë do të mendoja se kam bërë punën time si autore. Pra, kjo është gjëja ime e preferuar – që unë të frymëzohem nga diçka për të cilën shkruaj dhe më pas të shoh njerëz të thonë: "Më duket sikur atë gjë e kam përjetuar edhe unë".

Gjatë vitit të kaluar, Kacey Musgraves ka hapur koncerte për Lady Antebellum dhe Little Big Town. Tani, ajo do të jetë e ftuar speciale në turneun “No Shoes Nation” të yllit të muzikës country Kenny Chesney.
XS
SM
MD
LG