Lidhje

Gadafi i drejtohet popullit libian me një fjalim të regjistruar

  • Zëri Amerikës

Gadafi i drejtohet popullit libian me një fjalim të regjistruar

Gadafi i drejtohet popullit libian me një fjalim të regjistruar

Stacioni televiziv TV Al-Oruba i Libisë sot transmetoi një fjalim në radio të udhëheqësit libian Muamer Gadafi. Nga një vend i panjohur, Gadafi i bën thirrje banorëve të kryeqytetit të Libisë siç tha ai ta “çlirojnë Tripolin” nga “djajtë”, të cilët e kanë marrë atë nën kontroll:

“Falenderoj njerëzit e lirë të Tripolit, njerëzit e lirë që takova në rrugët e Tripolit. Faleminderit Tripoli. Misioni i banorëve të Tripoli tani është pastrimi i qytetit të tyre, Tripolit të Libisë. Të gjithë libianët duhet të vijnë në Tripoli për të pastruar atë nga minjtë. Të rinjtë dhe gratë e të gjitha fiseve të Libisë dhe banorët e Tripolit duhet të vijnë ta pastrojnë atë nga tradhtarët”.

Fjalimi ishte thënë me një zë të ndrydhur dhe pa retorikën e zakonshme, të zjarrtë të Muamar Gadafit. Ai i pyet banorët e Tripolit se “Pse po i lejoni ju ata këtu të bëjnë kërdinë?”.

Transmetimi vjen një ditë pasi qindra rebelë libianë sulmuan kompleksin e Gadafit në kryeqytet, por nuk gjetën asnjë shenjë të udhëheqësit libian. Kanali televiziv Pro-Gadafit ka cituar më parë udhëheqësin libian të ketë thënë se ai kishte ikur nga kompleksi, një veprim taktik i tij, pasi 64 sulmet ajrore të NATO-s e kishin kthyer atë në rrënoja.

Ndërkohë, sot rebelët i vazhduan festimet nëpër rrugë, duke shtënë në ajër me armë automatike pranë kompleksit të dëmtuar të Ghadafit.

Kolonel Ahmed Bani, zëdhënës ushtarak i Këshillit Kombëtar Kalimtar, sot tha se marrja nën kontroll e kompleksit të Ghadafit ishte një fitore e rëndësishme.

“Kapja e kompleksit Bab al-Azizya është një humbje e madhe për Gadhafin dhe nga pikëpamja strategjike një fitore e madhe, sepse në kompleks gjendeshin armatime. Ne i kemi parë rebelët duke u futur brenda dhe duke marrë atje snajpera dhe municione”, - tha koloneli Ahmed Bani.

Rebelët pretendojnë se kanë marrë nën kontroll 80 për qind të Tripolit.

Megjithatë, opozita ende nuk mund ta deklarojë fitoren. Sot rebelët u panë duke ikur nga të shtënat me snajperë dhe herë pas here ka patur beteja me armë zjarri në mbarë qytetin.

XS
SM
MD
LG