Lidhje

Kadare, thirrje zotit Basha të tërhiqet për hir të stabilitetit

  • Zëri Amerikës

Kadare, thirrje zotit Basha të tërhiqet për hir të stabilitetit

Kadare, thirrje zotit Basha të tërhiqet për hir të stabilitetit

Shkrimtari Ismail Kadare bëri publike një letër të hapur, në të cilën i bën thirrje kandidatit Lulzim Basha që të tërhiqet nga gara për Bashkinë e Tiranës për hir të interesave të vendit.

Kjo thirrje, shkruan Kadare, nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket e gabuar politikisht dhe strategjikisht, por do të ishte e drejtë nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit.

Ky, thotë, zoti Kadare, do të ishte një gjest i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare.

Propozimin për tërheqje, shkruan Kadare, duke iu drejtuar zotit Basha, mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin, që është shef i opozitës.

Gjesti i juaj, thekson zoti Kadare, do të ishte një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke përfshirë edhe atë të politikanëve dhe do t’i nderonte të gjithë.

TEKSTI I PLOTË

Letër e hapur Zotit Lulzim Basha, kandidat për Bashkinë e Tiranës

Paris, 21 maj 2011

Zoti Lulzim Basha,

I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.

S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.

Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj. por nga një tjetër pikpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.

Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.

Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest, që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.

Nuk e kam vështirë të marr me mend, në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim : Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.

Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush , por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës.

Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njerën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.

Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja, posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I.Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.

Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.

Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke përfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i tillë, përpara se të nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.

Jemi mësuar me shprehjen "turp i përbashkët", që mirë a keq, e kemi përjetuar gjatë shumë viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër : "nder i pêrbashkët".

Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.

Miqësisht, me shpresë,

Ismail Kadare, shkrimtar

XS
SM
MD
LG