Lidhje

Kafkë rreth 2 milionë vjeçare gjendet në Gjeorgji


Shkencëtarët janë entuziastë lidhur me gjërat e reja që mund të mësohen mbi mënyrën se si kemi evoluar prej disa kockash njeriu të lashta të gjetura në Gjeorgji. Çelësi për zbardhjen e misterit është një kafkë gati dy milionë vjeçare. Kafka e lashtë hominide, më e plota e gjetur deri më sot, është pjesë e provave më të hershme që tregojnë lëvizjen e qenieve paranjerëzore nga Afrika drejt pjesëve të tjera të botës, sipas një studimi të botuar kohët e fundit në revistën “Shkenca”.

Zbulimi i një kafke rreth 1,8 milionë vjeçare e një prej paraardhësve tanë, e gjetur nën një fshat mesjetar në një zonë rurale të Gjeorgjisë, sipas shkencëtarëve paraqet një moment të evolucionit të hershëm njerëzor në zhvillim e sipër.

Autori kryesor i studimit është David Lordkipanidze, drejtor i Muzeut Kombëtar të Gjeorgjisë.

"Ne jemi shumë me fat që kemi tani dëshminë më të mirë të pranisë së njeriut të hershëm dhe kjo është kafka më e plotë e gjetur ndonjëherë në botë nga kjo periudhë kohore. Ajo tregon se shumë karakteristika që kemi menduar se janë morfologjike në fakt janë vetëm individuale. Kur shihet ndryshimi midis këtyre dy nofullave përshtypja e parë që mund të krijohet është se janë dy specie të ndryshme, por kjo kafkë tregon se është vetëm një popullsi."

Mashkulli i rritur nuk ishte i species sonë, Homo Sapiens, por i një specieje paraardhëse brenda së njëjtës gjini Homo, që çoi në krijimin e njerëzve modernë. Studiuesit thonë se ai mund të jetë pjesë e një pikë vendimtare të procesit evolutiv, ku paraardhësit tanë u evoluan nga specia Homo Habilis në Homo Erectus.

"Kjo kafkë dhe kjo nofull i takon individit të një grupi që ka jetuar këtu. Për herë të parë kemi mundësinë të studiojmë një popullsi. Po sjellim dëshmi të reja për historinë tonë evolucionare," shpjegon Lordkipanidze.

Së bashku me katër kafka të tjera më pak të plota, që u gjetën në të njëjtin vend, kjo kafkë tregon se sa lloje të ndryshme trupi paraardhësit tanë të lashtë kanë patur, duke forcuar njërën prej dy teorive konkurruese rreth evolucionit të hershëm njerëzor. Ajo sjell prova të reja që tregojnë për një specie të vetme paranjerëzore, duke na treguar se origjina jonë i ngjan më tepër një peme familjare tipike sesa një evolucioni të parregullt të njeriut me specie të dala e të zhdukura prej familjes Hominidae.

Edhe shkencëtarë të tjerë që studiojnë speciet e hershme të njeriut janë të mahnitur nga zbulimi i kafkës në Gjeorgji. Reid Ferring, i Universitetit të Teksasit të Veriut thotë:

"Kjo kafkë e gjetur së fundmi, që është e pesta e gjetur në Dmanisi, është krejt ndryshe nga të tjerat, me një fytyrë shumë të madhe. Analizat që ata kanë bërë tregojnë se popullsia në Dmanisi kishte shumëllojshmëri me dallime mjaft të mëdha në madhësinë dhe formën e fytyrës. Në Afrikë të njëjtat fosile mund të cilësosheshin dhe si lloje të ndryshme speciesh njerëzore. Pra, kjo është hera e parë që kaq shumë kafka janë gjetur në të njëjtin vend prej së njëjtës periudhë. Këto zbulime po ndryshojnë pikëpamjet tona mbi të kaluarën e historisë njerëzore."

Çfarëdo misteresh që paraardhësit tanë do të na zbulojnë mbi evoluimin e njeriut, këto kafka prej së shkuarës janë tashmë pjesë e së tashmes.
XS
SM
MD
LG