Lidhje

Vazhdon protesta ulur në Kajro


Përkrahësit e ish presidentit të Egjiptit, Mohamed Morsi vazhduan edhe sot protestën e tyre ulur, megjithë urdhërin e forcave të sigurimit për t’i dhënë asaj fund dhe për t’u shpërndarë. Situata në lagjen Nasr të Kairos ishte relativisht e qetë, pas përleshjeve të përgjakshme që prej së premtes në kryeqytet dhe në qytetin e Aleksandrisë.

Përkrahësit e ish presidentit egjiptian, Mohammed Morsi vazhduan edhe sot protestën e tyre ulur, një ditë pas përleshjeve të përgjakshme me forcat egjiptiane të sigurimit.

“Lashë familjen dhe shtëpinë për t’u bashkuar me protestën sepse mësova se regjimi i Mubarakut ende kontrollon vendin”, thotë Salam Ahmed.

Një zyrtar i Ministrisë së Shëndetsisë tha se numri i të vdekurve nga përleshjet e fundjavës mes përkrahësve të zotit Morsi dhe forcave të sigurimit, të mbështetura nga civilë të armatosur, arriti në 74, dita më e përgjakshme që kur ushtria përmbysi nga pushteti islamistin Morsi me anë të një grushti shteti më 3 korrik. Gati 1 mijë veta u plagosën. Përleshjet theksojnë forcën gjithnjë në rritje kundër protestuesve, që kërkojnë kthimin në pushtet të zotit Morsi.

Lëvizja Vëllazëria Myslimane e zotit Morsi tha dje se policia hapi zjarr kundër demonstruesve të paarmatosur në lagjen Nasr, ku anëtarë të kësaj lëvizjeje kanë protestuar në heshtje, duke kërkuar kthimin e tij në pushtet. Zyrtarët egjiptianë i mohojnë këto akuza, duke thënë se policia përdori vetëm gaz lotsjellës dhe se marshuesit pro zotit Morsi ishin përgjegjës për dhunën.

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e cilësoi këtë periudhë si shumë të rëndësishme për Egjiptin, madje paralajmëroi se dhuna përbën një zbrapsje për ripajtimin dhe demokracinë. Ai tha se autoritetet egjiptiane kanë detyrimin moral dhe ligjor për të respektuar të drejtën e fjalës dhe të grumbullimit të lirë. Ai bëri thirrje për një hetim asnjanës lidhur me aktet e fundit të dhunës.

Ish presidenti Morsi po mbahet nën mbikqyrjen e ushtrisë që prej 3 korrikut. Zyrtarët thonë se ata po bëjnë hetime rreth akuzave se ai ishte angazhuar në një komplot me grupin militant palestinez Hamas.
XS
SM
MD
LG