Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi me 14 shtator?


Histori - Çfarë ndodhi me 14 shtator?

1812 - Ushtria franceze e Napoleonit hyn në Moskë dhe e gjen atë të braktisur; trupat ruse i kishin vënë zjarrin qytetit para se të tërhiqeshin. Pas dy ditësh, zjarri u shua vetëvetiu, Moska ishte djegur plotësisht.

1927 - Vdes në Francë balerina amerikane Isadora Duncan. Jeta dhe vdekja e saj janë të pazakonta. Lindur në Kaliforni më 1877, shumicën e jetës Dunkan e kaloi e mërguar në Evropën perëndimore dhe Bashkimin Sovjetik. E njohur për stile kercimesh që thyenin tabutë e kohës, Isadora Dunkan u bë edhe më e famshme kur iku bujshëm nga Amerika për ndjenjat e saj pro-sovjetike. Madje për të shprehur hapur këto ndjenja ajo mbante në qafë një shall të kuq tepër të gjatë, dhe kur dilte në skene u thoshte spektatorëve - "Ky shall është i kuq, kështu jam edhe unë!" Dhe ky shall u bë shkaktar i vdekjes së saj. Ndërsa ishte duke udhëtuar me automobil në Nisë të Francës, shalli i gjate i kuq i mëndafshtë iu ngatërruar në boshtin e rrotave të pasme të makines dhe Isadora Dunkan pati një vdekje të llahtarshme. Përsa i përket jetës, në vitin 1913, Isadora udhëtoi nëpër Shqipëri. Ajo flet rreth këtij udhëtimi në librin autobiografik "My Life", botuar pas vdekjes. Në vitin 1922, Isadore Dunkan martohet me poetin rus Sergei Esenin, 18 vjet më i ri se ajo. Një vit më pas ata u ndanë. Esenin u kthye në Moskë, ku më 1925 vrau veten - një film i ri (2005) mbi jetën e tij tregon se poeti 30-vjecar u vra nga sigurimi sovjetik, NVDK. Edhe per Isadora Dunkan, eshte folur e shkruar; me 2005, shkrimtari Luan Rama botoi romanin historik "Santa Quaranta" mbi udhetimin e Isadores ne Sarande; ndersa filmi "Isadora" (1968) me Vanesa Redgrave ne rolin e balerines, tregon se si kjo artiste e viteve 1920 ndryshoi përgjithmonë mendësinë e njerëzve rreth baletit dhe kercimit skenik. Në vitin 1987 Isadora Duncan u pranua në Hollin e Famës në Muzeun Kombëtar të baletit, SHBA.

1936 - Ferid Murad, mjek e farmakolog amerikan, dhe bashkë-fitues i Cmimit Nobel për mjekesi ne vitin 1998. lindi në Whiting, Indiana nga prindërit; John Murad, shqiptar, dhe Henrieta Brown, amerikane. Ferid Murad u diplomua për mjekesi dhe farmakologji nga Universiteti Western Reserve më 1965. Pastaj shkoi ne universitetin e Virxhinias ku më 1970 merr titullin Profesor, para se të kalonte në universitetin Stanford më 1981.

1944 - Maastrichti bëhet qyteti i parë holandez që çlirohet nga pushtimi nazist, falë forcave aleate.

1959 - Raketa ruse Lunik 2 përplaset në sipërfaqen e Hënës, duke u bërë objekti i parë i prodhuar nga njeriu që prek Hënën.

1982 - Princesha Grace e Monakos vdes nga plagët që mori një ditë më parë kur makina e saj u rrëzua nga një rrugë malore, ndërsa po kthehej në Monako nga pushimet. Vajza e saj, princesha Stephanie, 17-vjeçare, që ndodhej në makinë u plagos. Pra se të bëhej princeshë, Grace, lindur në Pensilvania më 1929, kishte qenë yll Hollivudi me emrin Grace Kelly. Gjatë ditëve të festivalit të filmit në Kanë më 1955, ajo u njoh me princin Ranier III të Monakos dhe një vit më vonë, Princi i propozoi të martoheshin. Aktorja Kelly, i cila sapo kishte marrë një ofertë kontrate prej 28 milionë dollarësh për filma nga Hollywoodi, heq dorë nga karriera filmike, u martua dhe për 25 vjet u njoh si Princesha Grace e Monakos.


Mendim i ditës
"Dashuria e vërtetë në këtë botë nuk ekziston, përderisa fëmijët e vegjël lejohet të vuajnë".
Isadora Duncan
XS
SM
MD
LG