Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 7 shtator?

  • Astrit Lulushi

Histori - Çfarë ndodhi më 7 shtator?

70 - Ushtria romake shkatërron dhe plaçkit Jeruzalemin. Sulmi kulmoi me djegien e Tempullit që shërbente si qendër e Judaizmit. Mijëra banorë u vranë, mijëra u bënë skllevër, dhe shumë relike të shenjta u dërguan në Romë.

1911 - Poeti francez Guillaume Apollinaire arrestohet nga policia nën dyshime për vjedhjen e pikturës Mona Lisa nga muzeu i Louvrit. Ai u lirua pas 1 jave për mungesë provash. Dy vjet më vonë, një ish-punonjës i Luvrit u arrestua ndërsa po përpiqej t'ia shiste pikturën e famshme të Da Vincit një tregtari arti. Vjedhësi ishte strehuar disa kohë në shtëpinë e Apollinairit, dhe ky i ktheu muzeut një numër statujash të lëna nga vjedhësi në shtëpinë e tij. Gjatë hetimeve Apollinaire implikoi edhe mikun e tij Pablo Pikaso, i cili u muar disa herë në pyetje dhe doli se ishte i pafajshëm. Apollinaire, i njohur si poet, ishte gjithashtu aktiv si gazetar dhe kritik arti. Në rrethin e miqve të tij bënin pjesë shumë shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të njohur të kohës, përfshi Faik Konicën.

1953 - Nikita Hrushovi u zgjodh sekretar i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1964 - sa qëndroi në detyrë - Hrushovi ishte përgjegjës për de-stalinizimin e pjesshëm të vendit, për nxitjen e programit sovjetik të hapësirës dhe për disa reforma liberalizuese në fushat e politikës së brendshme.

1956 - Delegacioni qeveritar shqiptar, i përbërë nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia mbërrin në Phenian ku u prit nga udheheqësi koreano-verior Kim Il Sung.

1978 - Duke ecur nëpër urën Waterloo në Londër, disidenti bullgar Georgi Markov vritet nga një agjent i shërbimit të fshehtë bullgar, i cili përdori helm ricin të vendosur në majën e një ombrellë të projektuar posaçërisht për këtë qëllim.

1986 - Desmond Tutu bëhet i pari zezak që udhëheq Kishën Anglikane në Afrikën e Jugut.

1990 - Delegatët shqiptarë të mbledhur në Kacanik miratojnë Kushtetutën dhe e shpallin Kosovën Republikë.


Mendimi i ditës
"Njeriu është njeri kur njerëzit e tjerë i njeh si njerëz".
Desmond Tutu
XS
SM
MD
LG