Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 5 shtator?

  • Astrit Lulushi

Histori - Çfarë ndodhi më 5 shtator?

1793 - Kuvendi i dalë nga Revolucioni Francez - i cili rrëzoi monarkinë - shënon fillimin e mbretërimit të terrorit. Me Robespierrin në krye të Komitetit për Sigurim Publik, më shumë se 300 mijë vetë u arrestuan dhe 17 mijë të tjerë u ekzekutuan brenda disa muajve. Kjo ngjarje përshkruhet përgjithësisht në librin "93" - romani i fundit i shkrimtarit Viktor Hugo - botuar në vitin 1874, menjëherë pas trazirave të përgjakshme të Komunës së Parisit.

1840 - Opera Un Giorno di Reigno e Verdit u shfaq për herë të parë në La Scala të Milanos.

1945 - Një nëpunës i ambasadës sovjetike në Kanada kërkon strehim politik. Ai u tregoi autoriteteve kanadeze ekzistencën e një rrjeti të gjërë spiunazhi sovjetik në Amerikën e Veriut, duke sinjalizuar fillimin e Luftës së Ftohtë.

1958 - Romani "Doktor Zhivago" i shkrimtarit dhe poetit rus Boris Pasternak - libër i ndaluar në Bashkimin Sovjetik - doli në shitje në libraritë e Nju Jorkut. Në tetor të po atij viti, Pasternak u nderua me çmimin Nobel për letërsi. Ai shpresonte për të shkuar në Stokholm dhe për të marrë Çmimin Nobel, por autoritetet sovjetike nuk e lejuan. Kritikët thonë se Pasternak hapi rrugën për një seri botimesh kundër regjimit sovjetik dhe jashtë formave të realizmit socialit, të cilat u kurorëzuan me romanin e bujshëm Archipelagu Gulag, për të cilin disidentit Aleksandër Solzhenitsyn iu dha edhe çmimi Nobel në vitin 1970.

1960 - Boksieri Muhammad Ali (atëherë Cassius Clay) fitoi medaljen e artë në peshën e lehtë në Lojrave Olimpike të Romës.

1972 - Një grup terrorist palestinez i quajtur "Shtator i zi" morri peng 11 atletë të Izraelit në Lojërat Olimpike të Mynihut. 2 atletë u vranë gjatë sulmit dhe 9 të tjerët u vranë të nesërmen. Mendohet se terroristët u ndihmuan logjistikisht nga neo-nazistët gjermanë.

1996 - Uragani Fran godet brigjet e Karolinës së Veriut duke shkaktuar vdekjen e 27 personave dhe dëme me vlerë mbi 3 miliardë dollarë. Për shkak të dëmeve të shumta, "Fran" u hoq nga lista e emrave të uraganëve të ardhshëm.

1997 - Vdes në Kalkuta të Indisë në moshën 87 vjeçare murgesha katolike shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për Paqe - e cilësuar si shenjtore mbrojtëse e të varfërve.


Mendimi i ditës
"Paqja fillon me një buzëqeshje".
Nënë Tereza
XS
SM
MD
LG