Lidhje

Histori: Çfarë ndodhi më 2 shtator?


Histori - Çfarë ndodhi më 2 shtator?

490 p.e.s. - Filipidesi i Athinës, u dërgua në Spartë për të kërkuar ndihmë kundër persianëve që kishin zbarkuar në Maratonë. Ai u nis me vrap për në Spartë dhe u kthye pa mundur të sigurojë ndihmën. Athinasit e fituan betejën dhe Filipides, megjithëse i plagosur, u dërgua përsëri, këtë herë nga Maratona drejt Athinës, 42 km larg, për të dhënë lajmin e fitores. Fjala e tij të fundit, para se të binte pa frymë ishte "Fituam" Për nder të Filipides, gara e vrapimit e quajtur "Maratonë" u bë pjesë e Lojërave të para Olimpike bashkëkohore që u mbajtën në Athinë në vitin1896. Distanca 42,195 km u pranua zyrtarisht në vitin 1924 në Olimpiadën e Parisit. Por... historianët thonë se edhe pse Filipides ka ekzistuar si person historik, vrapimi i tij nga Maratona në Athinë nuk ndodhi. Herodoti, ati i historisë, shkroi 40 vjet pas betejës së Maratonës se Filipides apo Pheidippides ishte lajmëtari që u dërgua nga athinasit në Spartë (230 km larg) për të kërkuar ndihmë, por nuk e përmend vrapimin nga Maratona në Athinë. Përfshirja e garës së Maratonës në lojrat olimpike mendohet se u frymëzua në vitet 1800 kur Robert Browning botoi poemën Pheidippides, e cila u bë mjaft popullore. Nga kjo poemë duket se u frymëzua edhe Fan Noli kur shkroi:
"Rent or Marathonomak...
Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Shpejt, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiqe, or Marathonomak!"

1666 - Londra u përfshi nga një zjarr masiv - më shumë se 13 mijë shtëpi u dogjën gjatë zjarrit që nisi në një shtëpi prej druri pranë Kullës së Londrës. Ishte ky zjarr 3 ditësh, që nxiti krijimin për herë të parë në histori të kontratave për sigurimin e banesave nga zjarri.

1901 - Në Panairin në Minesota, në një fjalim mbi politikën e jashtme, zëvendës-presidenti Theodore Roosevelt përdori shprehjen "flisni butë dhe mbani një shkop të madh", metaforë për diplomacinë dhe forcën. Roosevelti ia atribuoi shprehjen një proverbe afrikane, por kjo origjinë është kontestuar. Historianët thonë se ideja e negociatave, dhe në të njëjtën kohë duke kërcënuar me "shkop të madh" apo ushtarakisht, është e Makiavelit.

Mendimi i ditës

"Fol kur je i zemëruar dhe do të mbash fjalimin më të mirë për të cilin gjithmonë do të pendohesh".

Ambrose Bierce
XS
SM
MD
LG