Lidhje

Kaliforni: 7 të vrarë dhe 3 të plagosur në një shkollë fetare


Policia në Oackland të Kalifornisë thotë se një ish-student që qëlloi për vdekje shtatë vetë në mjediset e Universitetit Oikos, ishte i zemëruar për faktin se e kishin përjashtuar nga shkolla këtë vit. Universiteti ku ndodhi incidenti frekuentohet kryesisht nga korano-amerikanë. Autori i sulmit, 43-vjeçari me origjinë koreane One L. Goh iu dorëzua më pas vetë autoriteteve.

Situata në Universitetin Oikos të Oklandit, në Kaliforni, u përshkrua si kaotike dhe shumë e frikshme. Këto pamje tregojnë atmosferën vetëm pak çaste pasi një person qëlloi me armë zjarri 10 vetë, duke vrarë 7 prej tyre. Ngjarja filloi në orën 10:30 të mëngjesit të djeshëm, në një universitet të krishterë koreano-amerikan. Pas një kërkimi intensiv për të gjetur autorin e krimit, paniku u qetësua një orë më pas, kur, siç njoftojnë forcat e policisë, i dyshuari u dorëzua në këtë kompleks dyqanesh aty pranë. Autoritet thanë se ai është 43 vjeçari me kombësi koreane One L. Goh.

Dëshmimtarët thonë se Goh, një ish student i infermierisë i këtij universiteti të vogël, urdhëroi të gjithë në klasë të rradhiteshin para një muri, dhe më pas hapi zjarr.

Ja si shprehet një dëshmimtar.

“Ne dëgjuam të paktën gjashtë të shtëna dhe dëgjuam dikë të thoshte “ai është i armatosur” ose diçka si “dikush ka një armë” dhe unë u largova nga klasa.”

Studentja Deborah Lee thotë se ajo dëgjoi të shtëna dhe u largua me nxitim.

“Herën e parë që i dëgjova mendova se ishin fishekzjarrë apo një shaka, por pasi një grua bërtiti për një kohë të gjatë profesori im doli nga klasa për të kontrolluar dhe u kthye për të na treguar se po thuhej që dikush kishte një armë. Më pas, të gjithë ne që ishim në klasë dolëm dhe u larguam duke vrapuar”.

Policia dhe skuadrat e reagimit të shpejtë mbërritën në vendngjarje duke drejtuar njerëzit drejt zonave të sigurta.

Howard Jordan, Shef i policisë së Oklandit:

“Kishte shumë njerëz të fshehur në ndërtesa të kyçura, dyer të mbyllura, prapa tavolinave, siç mund të imagjinohet, mjaft të friksuar, mjaft të tmerruar. Disa ishin plagosur, kështu që na u desh t’i nxirrnin ata jashtë. Na u desh të hynim me forcë në disa klasa”.

Ka njoftime se i dyshuari kishte probleme të mëdha financiare dhe se nëna dhe vëllai i tij kishin vdekur vitin e kaluar. Disa burime thonë gjithashtu se ish-studenti ishte përjashtuar nga shkolla, por motivet e aktit të tij ende nuk dihen.

XS
SM
MD
LG