Lidhje

Kaliforni, fillon mbyllja e hoteleve të lindjes


Hotelet e paliçencuara të lindjes që u shërbejnë grave nga Azia janë përhapur në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në Kaliforni. Mike O'Sullivan njofton nga Los Anxhelosi se zyrtarët lokalë kanë filluar një operacion për mbylljen e këtyre hoteleve, të cilat u premtojnë shtetësinë amerikane foshnjave të sapolindura.

Në periferi të Los Anxhelosit, në qytetin Monterey Park, një klinikë e paliçencuar e lindjes u detyrua kohët e fundit të mbyllet. Ajo ishte një nga shumë klinika të këtij lloji në Kaliforni që bëjnë reklama në internet për të tërhequr gratë shtatzëna nga Azia të cilat duan që fëmijët e tyre të lindin në Shtetet e Bashkuara. Sipas kushtetutës amerikane, fëmijët që lindin në Shtetet e Bashkuara janë automatikisht shtetas amerikanë. Kjo nuk është e paligjshme, thotë eksperti i politikave të imigracionit Karthick Ramakrishnan.

“SHBA mund të miratojë një ligj që nuk lejon hyrjen në vend të njerëzve që kanë për qëllimi të lindin këtu fëmijën. Tani nuk ka asnjë ligj që e kundërshton drejtpërdrejt një gjë të tillë”.

Por zyrtarët lokalë thonë se këto klinika janë të paliçencuara dhe ilegale. Autoritetet lokale në qytetin Chino Hills, pranë Los Anxhelosit, kanë filluar mbylljen e këtyre klinikave. Prokurorja Rosanna Mitchell kryeson një grup të banorëve të cilët u ankuan para zyrtarëve të qytetit.

“Ata shihnin shumë makina luksoze që hynin dhe dilinin nga kjo klinik. Ata gjithashtu shihnin shtatë deri tetë gra shtatzëna që ecnin në rrugët para shtëpive të tyre”.

Zyrtarët thanë se në klinikën e paliçencuar 17 dhomëshe, me gjendje jo të mirë sanitare dhe të sigurisë, trajtoheshin deri në 30 gra. Ajo tani është mbyllur.
Kjo çështje e dabatueshme po shkakton tensione në këtë rajon me banorë të racave të ndryshme, thotë kinezo-amerikani Lou Alfonso.

“Ka tensione sepse shumë banorë të ndershëm dhe paqedashës të komunitetit amerikano-kinez në Chino Hills janë kundër këtyre hoteleve të lindjes dhe për shkak të anës emocionale të këtij problemi ka një tendencë për ta përgjithësuar çështjen”.

Wai-Min Liu e Shoqatës Kinezo-amerikane në Chino Hills dëshiron mbylljen e klinikave.

“Ne ndjehemi shumë keq për këto veprime, dhe ne shpresojmë që qeveria do të bëjë diçka për këtë”.

Nuk dihet me saktësi se sa hotele të lindjes operojnë në Shtetet e Bashkuara. Disa banorë në Kaliforni shpresojnë se Kongresi do të marrë një vendim për të përcaktuar nëse amendamenti kushtetues për dhënien e shtetësisë për të gjithë ata që lindin në vend duhet të ndryshohet për të parandaluar përhapjen e kësaj dukurie.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG