Lidhje

Ndërhyrjet politike në gjykatat e Kamboxhias


Një gjykatë në Kamboxhia nuk pranoi të shqyrtojë një çështje rreth vrasjes së një aktivisti të mirënjohur të mjedisit dhe të të drejtave. Kritikët thonë është ky është dështimi më i fundit i sistemit të drejtësisë në vend. Chut Wutty u qëllua për vdekje nën rrethana të dyshimta, gjatë një serie sulmesh të ndërmarra kohët e fundit kundër aktivistëve, gazetarëve dhe protestuesve. Grupet aktiviste thonë se incidentet theksojnë kulturën e mosndëshkimit dhe ndërhyrjet e fuqishme politike në gjykata. Korrespondenti Daniel Schearf dërgoi këtë kronikë nga Bankoku:

Aktivisti Chut Wutty po hetonte njoftimet për prerje të paligjshme drurësh, kur ai u ndalua në një postbllok, u qëllua dhe u vra, së bashku me një oficer të policisë ushtarake. Policia fajësoi oficerin e vdekur për vrasjen e aktivistit, që ndodhi në muajin prill në provincën në jugperëndimore Koh Kong.

Ata fillimisht thanë se oficeri kreu vetëvrasje, por më vonë ndryshuan versionin e tyre të ngjarjes, duke thënë se ai u qëllua aksidentalisht, dy herë, nga një roje e sigurisë.
Një gjykatë provinciale në Koh Kong pritej të mbante një seancë dëgjimore rreth dy vrasjeve, por papritmas ajo hodhi poshtë çështjen e aktivistit Chut Wutty, duke thënë se i dyshuari si autor i krimit tashmë kishte i vdekur.

Ou Virak është drejtor i Qendrës kamboxhiane për të Drejtat e Njeriut. Ai thotë se mospranimi nga ana e gjykatës për të ndjekur çështjen demonstron ndërhyrje politike.

"Shumë nga zyrtarët që përfitojnë nga prerjet ilegale dhe tregtia e paligjshme e drurit, ishin të shqetësuar nga puna e tij. Dhe, për këtë arsye, nuk mendoj se ka ndonjë dëshirë nga ana e qeverisë dhe e njerëzve në pushtet për të hetuar".

Chut Wutty ishte një kritik i hapur i korrupsionit në mosmarrëveshjet rreth pronësisë së tokës dhe burimeve natyrore në Kamboxhia. Kohët e fundit, ka patur edhe raste të tjera që kanë vënë në dukje ndikimin që kanë bizneset dhe figurat e fuqishme politike në manipulimin e sistemit të drejtësisë.

Pak ditë më parë, një gjykatë dënoi pronarin e stacionit të vetëm të pavarur radiofonik të Kamboxhias me 20 vjet burg për rebelim, pavarësisht mungesës së provave të forta.
Aktivistët thonë se Mam Sonando, radioja e të cilit transmeton dhe disa programe të Zërit të Amerikës dhe të Radios Azia e Lirë, ishte nën shënjestër për shkak se sfidoi autoritetet.

Gjykata nisi çështjen kundër 70-vjeçarit vetëm pasi Kryeministri Hun Sen bëri thirrje për arrestimin e tij. Janice Beanland punon për organizatën e të drejtave të njeriut Amnesty International. Ajo thotë se vendimi ngre dyshime serioze nëse është e mundur të ketë gjykime të drejta në Kamboxhia.

"Mendoj se ky vit ka shënuar një përkeqësim të dukshëm të gjendjes së lirisë së shprehjes, sidomos për mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe protestuesit paqësorë. Ata po përballen me shkallëzim sulmesh, masa ligjore nëpërmjet gjykatave të kontrolluara nga qeveria dhe me dhunë që përfshin dhe vrasjet."

Në shtator, trupi i një gazetari që hetonte lidhjet midis tregtisë së paligjshme të drurit me ushtrinë kamboxhiane u gjet në bagazhin e një makine. Të paktën tre incidente të tjera gjatë këtij viti përfshinë forcat e sigurisë që hapën zjarr mbi qytetarë të paarmatosur dhe protestues për çështjen e pronësisë së tokave. Në maj, një vajzë 14-vjeçare u qëllua për vdekje gjatë një dëbimi të dhunshëm prej tokës.

Ou Virak thotë se duket të ketë një rritje të intolerancës ndaj kritikave, sidomos në çështjet e tokave, ndërkohë që afrohen zgjedhjet kombëtare të vitit 2013.

"Partia në pushtet nuk është e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale këtë vit, edhe pse arritën një fitore dërrmuese, sepse ata prisnin më shumë. Pra, ata kanë filluar të kërkojnë që kritikët të heshtin, ata kanë filluar të ndalojnë që disa media të njoftojnë mbi konfliktet e përhapura që u shkaktuan nga çështjet e tokave, nga koncesionet ekonomike të tokës, dhe marrjet e tokave. Unë mendoj se kjo shtypje do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve."

Surya Subedi është raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Kamboxhia. Ai thotë se ndërsa lufta kundër praktikave korruptive bëri një hap në drejtimin e duhur, liria e shprehjes është dëmtuar më tej.

"Në prag të zgjedhjeve, i kam kërkuar qeverisë të qetësojë situatën dhe i kam rekomanduar të krijojë një mjedis të lirë dhe të hapur politik, në mënyrë që të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe incidentet e fundit që kanë ndodhur tregojnë se gjërat nuk po lëvizin në drejtimin e duhur."

Kryeministri Hun Sen udhëheq Kamboxhian prej 27 vjetësh dhe thotë se do të qëndrojë në pushtet deri në vdekje.
XS
SM
MD
LG