Lidhje

Kameron në mbrojtje të hapave të ndërmarrë për skandalin e përgjimit

  • Zëri Amerikës

Kameron në mbrojtje të hapave të ndërmarrë për skandalin e përgjimit

Kameron në mbrojtje të hapave të ndërmarrë për skandalin e përgjimit

Kryeministri britanik Dejvid Kameron thotë se në retrospektivë nuk do ta kishte marrë në punë zëdhënësin e tij, ish-redaktor i gazetës News of the World, që tani ka dalë nga qarkullimi. Kjo gazetë është në qendër të skandalit në Britani për përgjim bisedash telefonike dhe korrupsion në radhët e policisë.

Udhëheqësi britanik shprehu sot keqardhje për zemërimin që ka shkaktuar fakti që në stafin e kryeministrit punonte Andy Coulson, i punësuar më parë nga gazeta. Në një sesion special të parlamentit, zoti Kameron tha se po të ishte në dieni të problemeve që kanë dalë tashmë në pah, s’do t’i kishte ofruar zotit Coulson punën. Andy Coulson është akuzuar për korrupsion dhe komplot për të interceptuar telefonata dhe është një ndër dhjetë personat e arrestuar deri tani në këtë skandal.

Ndërkohë parlamenti britanik mori dje në pyetje Rupert Murdokun dhe djalin e tij rreth skandalit të përgjimit të telefonatave. Skandali ka çuar në një numër arrestimesh dhe dorëheqjesh në Britani si dhe mbylljen e gazetës më të shitur në botë në gjuhën angleze, News of the World.

Zoti Murdok kërkoi falje në emër të kompanisë së tij lidhur me skandalin e përgjimit të telefonatave.

"Kjo është dita më e ulët e karierës time. Pas gjithë zhvillimeve të ditëve të fundit, unë e dija se duhet të vija këtu. Mua dhe Xhejmsit na vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, veçanërisht për sa i përket dëgjimit të mesazheve personale të viktimave të krimit”.

Ai tha se shpreson që kompania e tij, News Corporation, një prej grupeve të medias më të mëdha të botës të rifitojë besimin e publikut. Gjatë javëve të fundit, është njoftuar se një degë e kompanisë së tij, gazeta britanike News of the World mund të ketë përgjuar mijëra mesazhe personale të viktimave. Si rezultat, para një jave kjo kompani mbylli gazetën News of the World.

Por kjo nuk i dha fund krizës. Protestuesit para ndërtesës ku dëshmonin atë e bir pasqyruan zemërimin në masë ndaj pushtetit, sipas tyre, që zotëronte gazeta. Dy zyrtarë të lartë të policisë dhanë dorëheqjen për shkak të akuzave për lidhje mes News of the World dhe policisë. Madje edhe vetë kryeministri David Kameron është kritikuar për lidhjet e tij me ish redaktorët e gazetës.

Tony Travers është ekspert i politikës britanike në Fakultetin Ekonomik të Londrës.

“Ky skandal nxjerr në pah afërsinë jo vetëm të politikanëve me këtë organizatë lajmesh, por edhe të policisë, e cila po hetonte akuzat rreth News International”.

Londinezët thonë se nuk janë habitur nga gjithë këto zhvillime. Ja disa nga mendimet e tyre:

“Mendoj se është një karakteristikë e kulturës në botën perëndimore, marrja e informacionit tërheqës me çdo çmim, prandaj nuk më habisin këto zhvillime”.

“Ky skandal ka nxjerrë në shesh shumë gjërave që publiku duhet të dijë. Ka pasur shumë pikpyetje rreth një personi dhe rreth një korporate që ka kaq shumë fuqi rreth lajmeve që u ofrohen publikut, prandaj mendoj se ky skadal ka hapur kapakun e shumë gjërave të rëndësishme”.

Dhe me kapakun e hapur, nuk është e qartë se çfarë informacioni i ri do të dalë në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG