Lidhje

Dënohet me burg kryebashkiaku i Kamzës


Gjykata e Tiranë e gjeti fajtor Xhelal Mziun për ““Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Vendoret e 21 qershorit, e majta drejt përmbylljes së caktimit të kandidatëve

Në Shqipëri gjykata e Tiranës dënoi sot me dy vjet burg kryetarin aktual të Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, i cili një ditë më parë u shpall si kandidat i partisë demokratike edhe për garën e 21 qershorit. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera”. Ndërkohë partia socialiste shpalli sot kandidatët e saj për mbi 25 bashki në të gjithë vendin, duke njoftuar se mesjavën e ardhshme do të vendosë edhe për kreun e bashkisë së kryeqytetit.

Kreu aktual i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu është ndër emrat e parë të kandidatëve që opozita konfirmoi për zgjedhjet e ardhme të 21 qershorit. Por 24 orë pasi u vendos dhe u njoftua publikisht se do të jetë sërish njeriu me të cilin partia demokratike ka vendosur të përfaqësohet, Gjykata e Tiranës e dënoi sot me dy vjet burg dhe dy vjet heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike. Mziu, i cili u arrestua në 2013 për “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë në tendera” u gjet fajtor nga gjykata.

Avokatët e tij e kundërshtuan vendimin duke lënë të kuptohet madje se ka dhe një prapavijë politike: “Gjatë gjykimit janë administruar në favor të tij, por kjo gjykatë sot vendosi në kundërshtim me to. Më vjen keq që vendimi ishte I paligjshëm dhe me lajthitje. Dhe mbi të gjitha ky vendim është marrë jashtë kësaj gjykate”.

Mbetet për t’u parë se si do të veprojë Partia Demokratike pas këtij vendimi të sotëm dhe nëse do të vazhdojë t’i qëndrojë kandidimit të tij në zgjedhjet e qershorit.

Ndërkohë në kampin e majtë, përgatitjet për zgjedhjet vendore po shkojnë drejt përmbylljes. Socialistët shpallën sot kandidatët në 8 qarqe apo për më shumë se 25 bashki në të gjithë vendin. Të paktën tre deputetë aktualë do të lënë mandatet për të konkurruar në garën e 21 janarit. Në bashki të rëndësishme si Durrësi, Elbasani, apo dhe Korca janë rikonfirmuar drejtuesit aktualë.

Sërish deputeti I Elbasanit Ben Blushi është shfaqur kritik: “E vetmja gjë që unë kam është se procesi nuk ishte proces. Ky është fundi i një procesi që nuk ishte fare i tillë”

Por nga ana e tij kryeministri Edi Rama nuk u shfaq i shqetësuar për kritikat ndërsa nënvizoi se sipas tij ky ka qenë procesi më intensive i konsultimeve. Ndër bashkitë e mëdha mbeten ende për t’u përcaktuar emrat e Vlorës dhe TIranës: “Për këto njësi ka akoma disa punë për të bërë, të natyrës konsultative dhe po ashtu të përfundimeve të imta të anketimeve, që ne kemi zhvilluar. Unë besoj që brenda javës së ardhshme, dhe mendoj në mesjavë, ne do të jemi gati me të gjitha kandidaturat për tryezën e koalicionit”.

Socialistët hyjnë në këto zgjedhje me një koalicion të madh partishë, i zgjeruar edhe djathtas. Në 15 Bashki do të drejtojnë emra të propozuar nga Lsi-ja ndërsa me aleatët e tjerë është diskutuar për një numer shumë më të kufizuar. Një tryeze e të gjithë pjestarëve të këtij koalicioni do të vendosë mbi listën përfundimtare të kandidatëve.

XS
SM
MD
LG