Lidhje

Kurat më premtuese kundër kancerit

  • Ardita Dunellari

Presidenti Obama bëri thirrje për përparime më të shpejta në shkencë dhe në zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Ai tha se SHBA mund të bëhet vendi që do të kurojë kancerin një herë e përgjithmonë:

"Vitin e kaluar, nënpresidenti Biden tha se me një përpjekje të re si ajo me të cilin u dërgua njeriu në Hënë, Amerika mund të kurojë kancerin. Sonte, unë po shpall një përpjekje të re kombëtare për ta bërë këtë. Meqë Joe Biden ka marrë mbi vete një numër betejash në emër të të gjithë neve gjatë një pune 40 vjeçare, do ta vë atë në krye të këtij misioni. Për të gjithë njerëzit e dashur që kemi humbur, për familjen që ne ende mund ta shpëtojmë, le ta bëjmë Amerikën vendin që do të shërojë kancerin një herë e përgjithmonë," tha Presidenti.

Nënpresidenti Joe Biden, i cili, siç e tha presidenti, ka bërë një fushatë të fortë për të mobilizuar një vëmendje më të madhe në luftë ndaj kancerit, pati djalin e tij të madh i cili vdiq vjet nga një tumor në tru.

Nisma e Presidentit Obama vjen në një kohë kur shkenca ka shënuar suksese të mëdha jo vetëm në njohjen dhe kontrollin e disa llojeve të kancerit, por edhe në kurimin e plotë të disa prej tyre. Në pjesën e dytë të ciklit mbi luftën kundër kancerit, njihemi me disa nga kurat më premtuese për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.

Diagnostikimi me kancer është një moment i frikshëm për pacientin. Edhe në rastet optimale, trajtimi prej dekadash shoqërohej me ndërhyrje kirurgjikale, ose terapi me rreze apo kimoterapi me pasoja anësore mjaft të rënda për pacientin. Por në shumë raste diagnostikimi me kancer, nuk nënkupton automatikisht tumor malinj, pasi një pjesë e mirë e tumoreve nuk përbëjnë rrezik për jetën apo shëndetin. Ky fakt po ndryshon metologjinë në diagnostikim. E ardhmja nuk do të jetë më mjekim standart për një kancer të caktuar, por modifikim i kurës dhe regjimit mjekësor për çdo pacient individual. Dr. Elizabeth Platz është studiuese në Qendrën Kërkimore kundër Kancerit Sidney Kimmel në Universitetin Johns Hopkins.

“Metodat e tanishme në disa raste zbulojnë tumore që nuk do të donim t’i zbulonim. Këto lloje kanceri kurrë nuk do të shndërrohen ndonjëherë në kërcënim jete për individin. Pra nuk është me vlerë t’i diktojmë këto probleme. Tani shkenca po punon për të dalluar kancerat më agresivë. Po punojmë për kontrolle të thjeshta mjekësore që dallojnë se cilat lloje kanceri kërkojnë vlerësim të mëtejshëm. E ardhmja është përmirësimi dhe individualizimi i mjekimit”.

Diagnostikimi i hershëm i llojeve më agresive të kancerit, dhe mundësisht i qelizave kanceroze para shfaqjes së sëmundjes, ofron edhe shpresat më të mëdha për një rezultat sa më pozitiv për pacientin, thotë Dr. Platz.

"Po përdoret një strategji kundër kancerit të qafës së mitrës, jo thjesht për diagnostikim të hershëm të sëmundjes, por të lezioneve malinje. Pra praktikohet zbulimi i lezioneve, goditja e tyre me një kurë terapike. Kjo metodë nuk lufton sëmundjen, por rrezikun për sëmundje, para shfaqjes së kancerit”.

Metodat më agresive të kurimit, si heqja kirurgjikale e masës kanceroze apo trajtimet me kimoterapi, rreze, ose ilaçe për të shkatërruar qelizat kanceroze vazhdojnë të jenë metodat më të përhapura të trajtimit, por përpjekjet e fundit po përqëndrohen në një qasje tjetër, stimulimin e vetë sistemin imunitar.

Dr. Richard Nelson drejton Qendrën Kërkimore kundër Kancerit në Universitetin Johns Hopkins.

“I njëjti sistem imunitar që mund të luftojë infeksionet, arrin të diktojë qelizat e rregullta nga ato të parregullta. E kemi kuptuar mjaft qartë tani se sistemi imunitar i dallon qelizat kanceroze, i sheh ato si anormale dhe nëse ne arrijmë ta aktivizojmë sistemin imunitar, ky sistem mund të sulmojë dhe shkatërrojë qelizat kanceroze në mënyrë shumë efektive”.

Procesi bazohet në modifikimin e gjeneve të vetë pacientit, duke i shndërruar qelizat normale në të ashtu-quajturat qelizat T – një formë super-qelizash që vihen në sulm kundër kancerit. E gjithë kjo falë arritjeve të gjenetikës e cila u ka dhënë mjekëve mundësi të ndërhyjnë direkt në gjenet ku shfaqen devijimet e lidhura me kancerin. Dr. Elizabeth Platz është e interesuar në terapi kundër kancerit të prostatës:

“Ne aktualisht dimë 100 pika të ndryshme në gjenomin e njeriut që lidhen me kancerin e prostatës. Pra është fantastike të idenfitikosh 100 pika të gjenomit”.

Kurimi i plotë i kancerit mbetet ende një shpresë për të ardhmen. Në realitetin aktual, kancerat më agresivë si kanceri i lëkurës, të diagnostikuar në fazë të avancuar janë vdekjeprurës në mbi 80% të rasteve edhe në vende të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara. Por mjekët shprehen optimistë me ritmet e përmirësimit krahasuar me pak vite më parë, falë ilaçeve të reja dhe imuno-terapisë. Dr. Nelson shpjegon:

“Kur melanoma përhapej në të gjithë trupin, ishte një kancer i papërballueshëm dhe pacienti nuk jetonte gjatë pas kësaj diagnoze. Tani kemi ilaçe që sulmojnë defektet gjenetike dhe japin rezultate shumë të mira. Kemi strategji për të aktivizuar sistemin imunitar, por jo çdo pacient përfiton prej tyre. Aktualisht 20-30% e pacientëve me melanoma agresive shfaqin përmirësime rrënjësore. Onkologët nga vetë natyra e punës, e kanë të vështirë të impresionojnë njeri, por kur pacienti shfaq përmirësime të tilla, kur një kancer që do t’i kishte marrë jetën individit brenda pak muajsh, zhduket plotësisht dhe nuk rishfaqet për 6-7 vjet, është diçka që duhet të impresionojë edhe skeptikët”.

Për momentin shumë nga këto terapi janë në fazat eksperimentale dhe ofrojnë pak shpresë për ata pacientë të diagnostikuar me format më agresive të sëmundjes. Për këta individë vëmendja është tek terapi që përmirësojnë cilësinë e jetës duke reduktuar dhimbjet dhe efektet anësore të kurave.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG