Lidhje

Kandidatë kryesorë kritikojnë njëri-tjetrin në debatin e republikanëve


Kandidatë kryesorë kritikojnë njëri-tjetrin në debatin e republikanëve
Kandidatë kryesorë kritikojnë njëri-tjetrin në debatin e republikanëve

Të dy kandidatët kryesorë të Partisë Republikane të cilët po garojnë për të marrë emërimin e partisë për të konkuruar kundër presidentit Obama, sulmuan njëri tjetrin gjatë një debati televiziv kombëtar që u zhvillua mbrëmë në Florida, një javë përpara zgjedhjeve paraprake të këtij shteti.

Ish guvernatori i Massachusettsit Mitt Romney u hodh në sulm kundër rivalit të tij Newt Gingrich, i cili javën e kaluar fitoi zgjedhjet praprake në Karolinën e Jugut. Zoti Romney sulmoi etikën e zotit Gingrich gjatë dhe pas karrierës së tij politike, përfshirë kohën kur ai ishte kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.


“Është fjala për mënyrën se si vepron kur je udhëheqës. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve kishte mundësinë ta tregonte këtë më 1994 dhe në fund të katër viteve ai u detyrua të japë dorëheqjen me turp. Ai erdhi në Uashington në vitet 1970. Po atë vit unë fillova punën e parë, në një nivel të ulët në një firmë konsulence. Në fund të viteve 1990, ai u detyrua të japë dorëheqjen nga roli i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, kurse unë pata mundësinë të drejtoj Lojërat Olimpike Dimërore. Në 15 vitet pas largimit nga detyra e kryetarit, zoti Gingrich ka punuar për të zgjeruar ndikimin në Uashington”.

Zoti Romney e përshkroi punën e zotit Gingrich si këshilltar i kompanisë Freddie Mac si një përpjekje për të shtrirë ndikimin në qeveri. Kompania e kredive Fredie Mac është mbështetur financiarisht nga qeveria dhe është fajësuar nga shumë analistë se ka kontribuar në krizën tregut të shtëpive.

Newt Gingrich i hodhi poshtë akuzat e zotit Romney.

“Ai sapo tha të paktën katër gjëra që nuk janë të vërteta. Nuk dua të harxhoj kohë me to. Unë mendoj se publiku amerikan meriton një diskutim rreth çështjes se si ta mundim në zgjedhje Barack Obamën. Publiku amerikan meriton një diskutim mbi ato që mund të bëjmë për ekonominë, prandaj unë mendoj se ky diskutim është i parëndësishëm, madje është lloji më i keq i të bërit politikë.”

Zoti Gingrich shkon në zgjedhjet paraprake të 31 janarit në Florida pas suksesit dhe fitores së javës së kaluar ndaj zotit Romney dhe dy rivalëve të tjerë republikanë, ish senatorit amerikan të Pensilvanisë Rick Santorum dhe kongresmenit të Teksasit Ron Paul në Karolinën e Jugut.
Deri tani, ka patur tre fitues të ndryshëm në tre shtetet ku janë mbajtur zgjedhjet paraprake të republikanëve. Santorum ka fituar në Iowa, Romney në New Hampshire dhe Gingrich në Karolinën e Jugut. Fituesi në garën e republikanëve do të përballet me presidentin demokrat Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

XS
SM
MD
LG