Lidhje

Kandidatët presidencialë dhe marrëveshja me Iranin


Pjesa më e madhe e politikanëve që kanë hyrë në garë për të marrë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale 2016 e kanë kundërshtuar me forcë marrëveshjen bërthamore me Iranin.

"Edhe ish-zyrtarë të lartë të administratës Obama mendojnë se marrëveshja ‘nuk do ta pengojë Iranin të arrijë kapacitetet për një armë bërthamore’,” tha ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush në një koment në Twitter javën e kaluar. Në koment kishte një link për një artikull të gazetës The New York Times lidhur me një letër nga pesë ish-këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë ku ata shprehnin shqetësim për një marrëveshje të mundshme.

Senatori nga Florida Marco Rubio ishte një ndër 47 senatorë republikanë të cilët nënshkruan një letër në adresë të udhëheqësve të Iranit në fillim të vitit ku paralajmëronin se çdo marrëveshje që mund të arrinin me Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Obama nuk do të zgjaste pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti të ri.

Ai pat shprehur nevojën për një amendament që Iranit t’i kërkohet të njohë shtetin e Izraelit në kuadër të projekt-ligjit, para se Kongresi të merrte në shqyrtim marrëveshjen bërthamore me Iranin. Ky amendament dhe të tjerë që do të ishin hedhur poshtë me veto presidenciale, u bllokuan ose u hodhën poshtë me votat e ligjvënësve, dhe projekt-ligji u miratua.

Senator repiblikan Ted Cruz i Texasit, i cili është një ndër konkurrentët për zgjedhjet presidenciale, ka thënë “Përparësia numër një për ne duhet të jetë të mos lejojmë një marrëveshje të keqe me Iranin që vë në rrezik jetët e miliona amerikanëve dhe miliona të tjerëve në vende aleate”.

Senatori nga Konektikati Rand Paul u shkëput nga grupi i republikanëve dhe foli për rëndësinë e angazhimit në dialog me Iranin. “Mendoj se duhet të mbajmë në fuqi sanksionet, por mendoj se vazhdimi i diskutimit është zgjidhje më e mirë se lufta,” tha senatori Paul disa muaj më parë, menjëherë pasi shpalli konkurrencën për zgjedhjet presidenciale. “Unë dalloj nga disa prej republikanëve të tjerë”.

Nga grupi i demokratëve, Hillary Clinton, e cila kryeson në anketa, ka shprehur mbështetje për një marrëveshje me Iranin, por paralajmëron se mbeten edhe një numër shqetësimesh të tjera në marrëdhëniet me Teheranin.

"Edhe nëse e arrijmë një marrëveshje të tillë, dp të vazhdojmë të kemi probleme madhore me Iranin,” tha zonja Clinton javën e kaluar. “Ky vend është sponsorizuesi kryesor i terrorizmit, ata përdorin organizata si Hezbollahun për të mbjellë trazira që destabilizojnë qeveritë”.

XS
SM
MD
LG