Lidhje

Kandidatët presidencialë dhe kontrolli i armëve


Kandidatja presidenciale Hillary Clinton do të prezantojë sot propozime për të forcuar kontrollin mbi armët në Shtetet e Bashkuara.

Kjo çështje është një nga temat që dëshmojnë më qartë dallimet mes zonjës Clinton dhe kandidatëve të tjerë që konkurrojnë për emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet e 2016. Kjo temë është gjithashtu edhe një dëshmi e dallimeve ideologjike mes kandidatëve demokratë dhe atyre republikanë.

Ndihmësit e zonjës Clinton thonë se ajo do të shfrytëzojë dy takime të hapura me votuesit në shtetin Nju Hempshër për të diskutuar planet për masa ekzekutive, nëse Kongresi nuk e merr në shqyrtim këtë temë.

Ish-senatorja dhe ish-Sekretare e Shtetit kërkon forcimin e ligjeve duke bërë të detyrueshme kontrollin e biografisë së atyre që duan të blejnë armë dhe ndalimin e shitjes së armës nëse kontrolli nuk është i plotë.

Pritet që zonja Clinton të propozojë edhe anulimin e ligjit të vitit 2005 që i mbron shitësit e armëve nga akt-padi civile “lidhur me akte penale apo përdorim të paligjshëm” të armës që kanë shitur.

"Nuk mund të presim më për masa parandaluese ndaj dhunës së armëve,” tha zonja Clinton të dielën në llogarinë e saj në Twitter.

Ajo do t’i bëjë komentet pak ditë pas incidentit vdekjeprurës kur një 26-vjeçar vrau nëntë vetë dhe plagosi nëntë të tjerë në një universitet amerikan. Presidenti Obama reagoi menjëherë pas sulmit duke u bërë thirrje amerikanëve t’u bëjnë presion ligjvënësve të miratojnë masa më të forta për kontrollin e armëve.

Senatori Bernie Sanders, një tjetër kandidat në kampin e konkurrentëve demokratë, tha se vendi ka nevojë për “ligje të arsyeshme për kontrollin e armëve” si dhe përmirësimin e kujdesit mendor. Ai propozoi mbylljen e të çarave në rregulloret për shitjen e armëve në panaire si dhe ndalimin e shitjes së armëve automatike.

Republikanët: Ligjet nuk i ndalin kriminelët

Për kandidatët republikanë, përgjigja ndaj këtyre incidenteve nuk është me miratimin e ligjeve të reja, të cilat sipas tyre nuk do të pengojnë kriminelët të shtien në dorë armë.

Miliarderi Donald Trump, i cili kryeson në kampin republikan prej disa muajsh, tha në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC se do të argumentonte se nëse do të kishte pasur individë të armatosur në universitet të enjten, më pak njerëz do të kishin gjetur vdekjen.

“Nëse do të kishte pasur më shumë armë në mjediset e universitetit, do të kishte pasur më shumë mbrojtje, pasi do të kishin armë edhe njerëzit e duhur”. Ai shtoi se individët me probleme mendore do t’i rrëshqasin ligjit dhe “do të bëjnë veprime që njerëzit e tjerë as nuk i mendojnë dot”.

Republikanët në përgjithësi janë kundër masave që kufizojnë aftësinë e amerikanëve për të blerë armë, duke e argumentuar kundërshtimin e tyre me Amendamentin e Dytë të Kushtetutës i cili specifikon “të drejtën e qytetarit për të mbajtur armë”. Një debat i gjerë politik si dhe një numër rastesh ligjore janë përpjekur të zbërthejnë kuptimin dhe zbatimin e këtij amendamenti të miratuar 200 vjet më parë.

Gjykata e Lartë u mor për herë të fundit me këtë çështje në vitin 2008 kur mbështeti të drejtën e armëmbajtjes “për arsye të ligjshme si vetëmbrojtjen në banesën e individit”.

Senatori Marco Rubio tha të premten se shtimi i masave kufizuese do të pengonte njerëzit të vetëmbroheshin.

"Keqbërësit nuk ndjekin ligjet,” tha ai. “Vetëm individët që respektojnë ligjin i ndjekin ligjet e armëmbajtjes dhe nuk ka dëshmi që këto ligje do të pengonin incidente të tjera”.

Neurokirurgu Ben Carson, i cili renditet i dyti në anketa pas Donald Trumpit në mes të kandidatëve republikanë, tha të premten se ligjet kufizuese për armëmbajtjen pengojnë vetëm ata që ndjekin ligjin. “Ligji nuk funksionon për të çmendurit,” tha ai.

Ish-shefja ekzekutive e kompanisë Hewlett-Packard Carly Fiorina tha se qeveria duhet të përqëndrohet tek forcimi i ligjeve ekzistuese para se të shtojë ligje të reja.

Propozime të tjera

Propozimet e zonjës Clinton nuk pritet të gjejnë jehonë në radhët e republikanëve, por edhe planet e saj duken të moderuara krahasuar me propozimet e ish-guvernatorit të shtetit Meriland, Martin O’Malley, i cili ka një listë të gjata masash ligjore që synon t’i vërë në zbatim.

Zoti O'Malley kërkon një proces më rigoroz në kontrollin e biografisë, si dhe leje për armëmbajtje; po ashtu kërkon marrjen e shenjave të gishtave dhe kurs specifik për këdo që kërkon të blejë armë. Ai propozon gjithashtu krijimin e një regjistri federal për armët që shiten, shtimin e kontrolleve në bizneset që shesin armë dhe presion nga qeveria, e cila është klienti kryesor i prodhuesve të armëve, për t’i detyruar prodhuesit ta bëjnë më të lehtë identifikimin e armëve të përdorura në incidente specifike.

XS
SM
MD
LG