Lidhje

SHBA: Gara për zgjedhjet presidenciale


Kandidatët për president, republikani Donald Trump dhe demokratja Hillary Clinton iu drejtuan këtë javë votuesve hispanikë, duke u përpjekur të fitojnë mbështetjen e tyre. Ndërkohë që kanë mbetur edhe 400 ditë deri në zgjedhje, sondazhet tregojnë se po zvogëlohet diferenca mes tyre dhe kandidatëve të tjerë.

Hillary Clinton foli të mërkurën para 2 mijë personave në Institutin Hispanik të Kongresit. Në fjalimi e saj, që i parapriu atij të Presidentit Barack Obama mbi emigracionin, zonja Clinton tha se nuk vlerësohet sa duhet rëndësia jetike e popullsisë hispanike për Shtetet e Bashkuara.

“Latinët e bëjnë Amerikën më të fortë. Ju e bëni Amerikën më të zgjuar, më krijuese dhe më novatore.”

Ajo gjithashtu shfrytëzoi mundësinë për të kritikuar rivalët që kanë bërë komente ofenduese për hispanikët.

“Është problem kur kandidati kryesues republikan thotë se emigrantët nga Meksika janë përdhunues dhe trafikantë droge.”

Kandidati kryesor republikan, Donald Trump, është shprehur se shumë prej emigrantëve ilegalë nga Meksika janë kriminelë. Miliarderi i pronave të patundshme nuk ka humbur mbështetje për shkak të komenteve dhe nuk kërkon ndjesë.

“Njerëzit më pyesin nëse mund të kërkoj ndjesë. U them që nuk mundem ta bëj këtë gjë, pasi e di që kam të drejtë.”

Por, gjatë një ndalese në Las Vegas këtë javë, zoti Trump i kushtoi vëmendje të veçantë votuesve hispanikë. Një grua nga Kolumbia hipi në podium së bashku me të, duke shprehur mbështetje për kandidaturën e tij.

Por disa hispaniko-amerikanë, ndër ta edhe artistë me influencë, nuk e falin dot kaq lehtë zotin Trump.

“Latinët janë shumë të fortë dhe mendoj se ai e ka tepruar. Jam shumë i zhgënjyer. Dikur e admiroja si biznesmen dhe mendoja se ishte njeri shumë inteligjent. Tashmë nuk mund ta them më këtë gjë”, shprehet artistja Chiquis Marin Rivera.

Përveç përpjekjeve për të tërhequr hispanikët, zoti Trump dhe zonja Clinton po japin shenja për strategji të reja për të tërhequr votuesit.

Gjatë javëve të fundit, bashkëshorti i zonjës Clinton, ish-Presidenti Bill Clinton, ka dalë për të folur në emër të saj, dhe zoti Trump ka thënë se bashkëshortja e tij dhe vajza do të flasin në emër të tij për çështjet e grave.

XS
SM
MD
LG