Lidhje

Kandidatët republikanë në përgatitje për zgjedhjet partiake në Iowa


Kandidatët republikanë në përgatitje për zgjedhjet partiake në Iowa
Kandidatët republikanë në përgatitje për zgjedhjet partiake në Iowa

Nëntorin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin presidentin. Para kësaj, Partisë Republikane i duhet të përzgjedhë një kandidat që do të sfidojë Presidentin Obama në këto zgjedhje. Fushata republikane vazhdon prej disa muajsh e shoqëruar me plot peripeci, përfshirë një pretendent që nuk ka vënë kandidaturë në shtetin e tij si dhe një libertarian që është bërë objekt akuzash se ka shkruar komente diskriminuese.

Kandidatët republikanë tregohen tepër të përzemërt kur vijnë në shtetet qendrore. Më tre janar ata kanë në shtetin Iowa një sprovë të madhe me zgjedhjet e para partiake.

Lista me nëntë pretendentë në këtë shtet duhet parë kryesisht si konkurim mes tre prej kandidatëve, thotë analisti Mathew Dowd:

“Mendoj se, në mungesë të ndonjë ndryshimi dramatik, gara aktualisht zhvillohet mes kandidatëve Ron Paul, Mitt Romney dhe Newt Gingrich, të cilët kanë një numër problemesh të trashëguara nga e kaluara dhe që përbëjnë shqetësim për votuesit republikanë”.

Zoti Gingrich ka shqetësimet e tij, pasi nuk ka paraqitur numrin e mjaftueshëm të votave për t’u kualifikuar për garën në Virxhinia, ku ai vetë jeton. Virxhinia është shteti i 12 nga madhësia dhe shihet si shtet i rëndësishëm për votën e lëkundur dhe ku asnjëra parti nuk dominon. Ky fakt e bën Virxhinian shumë të rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Analisti politik demokrat James Carville:

“Ai nuk do të konkurojë në Virxhinia ku gara do të jetë e fortë dhe fitorja do të ketë domethënie”.

Por fushata e zotit Gingrich është treguar energjike në trumpetimin e problemeve që ka pasur rishtazi fushata e kandidatit Ron Paul. Në vitet 1980 dhe 1990, zoti Paul botonte bulentine që përmbanin komente raciste anti-semite dhe kundër homoseksualëve.

“Këto janë komente tepër të pështira. Por ai pretendon se nuk kishte dieni? Pra nuk kishte dieni, por është plotësisht i aftë të jetë president?”

Zoti Paul betohet se nuk i ka shkruar këto komente. Por kjo video e vitit 1995, e publikuar në YouTube, flet ndryshe:

“Buletini quhet raporti Ron Paul i mbijetesës që unë e botoj çdo muaj”.

Pavarësisht nga ky fakt, zoti Paul ka përkrahës të zjarrtë që e pëlqejnë për stilin e tij të thjeshtë. Kjo ka rëndësi në Iowa ku vetëm rreth 100 mijë vetë do të votojnë më 3 janar.

Në treshen kryesore është edhe ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, i cili nuk ka bërë aq shumë fushatë në Iowa:

Zoti Romney flet për ekperiencën e tij ekonomike në këtë reklamë televizive. Por disa republikanë thonë se ai nuk është konservator sa duhet në çështje të tjera.

Kandidatët mund të ngushëllohen me faktin se në Iowa nuk duket se ka një kandidat favorit. Megjithatë, pretendentëve u mbetet vetëm një javë të bindin votuesit në këtë shtet dhe të sigurojnë fitoren.

XS
SM
MD
LG