Lidhje

Kandidatët republikanë për president premtojnë shkurtime të ndihmës së huaj

  • Xhim Mëllon

Kandidatët republikanë për president premtojnë shkurtime të ndihmës së huaj

Kandidatët republikanë për president premtojnë shkurtime të ndihmës së huaj

Procesi i zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara fillon zyrtarisht më 3 janar në shtetin qendër-perëndimor të Ajovas, kur republikanët do të votojnë për zgjedhjen e një kandidati të partisë së tyre, i cili do të përballet me Presidentin Barak Obama, në nëntor të vitit 2012. Ekonomia e vendit dhe papunësia kanë dominuar debatet e kandidatëve republikanë, por edhe politikat e jashtme janë shfaqur herë pas here gjatë tyre, përfshi çështjen e ndihmës së huaj.

Në debatin e fundit republikan në Las Vegas, disa prej kandidatëve presidencialë e bënë të qartë se do të shkurtonin ndihmën e huaj nëse do të zgjidheshin. Guvernatori i Teksasit Rick Perry.

“Unë mendoj se është koha që ky vend të zhvillojë një debat serioz mbi ndihmën e huaj.”

Një tjetër kandidat, ligjvënësi i Teksasit Ron Paul, tha se Shteteve të Bashkuara nuk i takon të dërgojnë ndihma jashtë vendit.

“Kushtetuta nuk autorizon që ne të marrim para prej jush dhe t’ia japim ato vendeve të huaja. Për mendimin tim, ndihma e huaj po u merr të ardhura njerëzve të varfër të këtij vendi dhe po ua jep ato njerëzve të pasur të vendeve të varfëra.”

Ish-Guvernatori i Masaçusetsit, Mitt Romney, i cili për shumë republikanë mbetet pretendenti kryesor, tha se kohët e vështira ekonomike në vend kërkojnë shkurtime të ndihmave të huaja.

“Mendoj se nuk ka kuptim që ne të marrim borxh nga kinezët dhe t’ia japim ato para një vendi tjetër si ndihma humanitare. Ne duhet të lejojmë kinezët të kujdesen për ata njerëz.”

Komentet e republikanëve për shkurtimin e ndihmës së huaj ngjallën kritika nga udhëheqësit e krishterë evangjelikë, përfshi zotin Richard Cizik.

“Të gjitha këto programe janë pjesë e intereseva tona kombëtare dhe nga këndvështimi i krishterë evangjelik, ato janë gjithashtu të rëndësishme sepse reflektojnë vlerat tona biblike, si kujdesja për të tjerët.”

Zoti Cizik dhe të tjerë theksojnë rëndësinë e programeve të ndihmave të SHBA-së, si për shembull ai për përmbytjet në Pakistan, ndihmat për katastrofën e tërmetit në Haiti dhe ato për luftën kundër varfërisë dhe sëmundjeve në Honduras.

Analistët e politikave të jashtme thonë se në vend ndihma e huaj e Shteteve të Bashkuara mbështetet nga opinioni publik. Heather Hurlburt punon për Rrjetin e Sigurisë Kombëtare.

“Kur zhvillohen anketat e opinionit midis qyteterëve amerikanë, ata janë mjaft besnikë ndaj idesë se ne jetojmë në një shoqëri globale dhe se jemi shumë të lidhur me njerëzit në mbarë botën dhe se është përgjegjësi për ne si qytetarë të ofrojmë ndihmë për njerëzit e vendeve të tjera.”

Zonja Hulburt thotë se shumica e amerikanëve nuk e dinë që ndihma e huaj përbën vetëm një përqindje të vogël të buxhetit.

“Ndihma e huaj e Shteteve të Bashkuara është më pak se 1 përqind e shpenzimeve vjetore. Qytetarët amerikanë, në anketat e opinionit zakonisht shprehen se ata mendojnë se ajo përbën rreth 20 përqind dhe se sipas tyre duhet të jetë midis 5 dhe 10 përqind, që do të ishte një pesëfishim i shifrave me të cilat ne ndihmojmë botën tani.”

Ka shumë mundësi që kjo temë të diskutohet sërish në një tjetër debat republikan, më datë 15 nëntor, i cili do të jetë tërësisht mbi çështjet e politikës së jashtme.

XS
SM
MD
LG