Lidhje

Kandidatët republikanë për zgjedhjet e vitit 2012

  • Xhim Mallon

Kandidatët republikanë për zgjedhjet e vitit 2012

Kandidatët republikanë për zgjedhjet e vitit 2012

Pas disa muaj paqartësie, gara për kandidatët republikanë në zgjedhjet e 2012 po fillon të marrë formë në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Disa republikanë të rëndësishëm e kanë marrë tashmë vendimin e tyre për garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2012. Një numër çuditërisht i madh prej tyre kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në garë. Por një prej këtyre kandidatëve të mundshëm, një figurë e njohur, Sarah Palin, ende nuk e ka bërë të njohur vendimin. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Malone:


Grupi i kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale të 2012-ës duket se pak a shumë është përcaktuar. Ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, i cili vazhdon të jetë në krye të anketave, pritet t’i bashkohet zyrtarisht garës së shpejti. Të tjerë, që cilët e kanë deklaruar pjesëmarrjen në garë, përfshijnë ish-Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Njut Gingriç, kongresmenin nga Teksasi Ron Pol dhe ish-guvernatorin e Minesotës Tim Poulenti, i cili e filloi fushatën zyrtarisht në fillim të javës.

“Vlerat që unë kam mësuar janë ato amerikane. E njoh mirë ëndërrën amerikane sepse e kam jetuar atë. Unë po kandidoj për postin e Presidentit, pikërisht për ta mbajtur gjallë këtë ëndërr”.

Por në pikëpyetje mbetet pjesëmarrja në garë e ish-guvernatores së Alaskës Sarah Palin, e cila ende nuk ka lënë të kuptohet në se do të marrë pjesë në garën presidenciale apo jo. Zonja Palin u bë sidomos e njohur pasi mori pjesë në garën e vitit 2008 si kandidate për nënpresidente krahas kandidatit republikan Xhon Mekein.


Në disa veprime të kohëve të fundit, zonja Palin ka nxitur spekullimet se ajo këtë herë mund të kandidojë për postin e presidentit. Njoftohet se zonja Palin ka blerë një shtëpi në Arizona, dhe ajo është personazhi i një filmi dokumentar që do të dalë muajin e ardhshëm, si dhe ka bërë disa ndryshime në ekipin e saj, hapa për të cilat ekspertët thonë se mund të tregojnë se ajo mund të përfshihet në garën vitit 2012.

Zonja Palin ka thënë për muaj me radhë se mund të hyjë në garë kur të jenë krijuar rrethanat e përshtatshme.

“Po do të merrja pjesë, në se kjo do të jetë diçka e mirë për vendin dhe familjen time, natyrisht që do të përfshihesha në garë”.

Zonja Palin gëzon mbështetje mes votuesve të krishterë evangjelistë dhe mes anëtarëve të Lëvizjes Tea Party, që kërkojnë qeveri më të vogël, si dhe brenda strukturave të Partisë Republikane. Por zonja Palin ka ndërtuar një karrierë tërheqëse si oratore dhe komentatore konservatore, të cilën duhet ta lerë mënjanë, në se kandidon për postin e presidentit.
Anketuesi i Universitetit Kuinipiak Peter Braun thotë se është fakt i pamohueshëm, që zonja Palin gëzon popullaritet mes kandidatëve konservatorë, por ajo mbetet një figure polarizuese për votuesit në përgjithësi.

“Ka një numër të madh njerëzish që e mbështesin atë fuqishëm, por mbështetja e përgjishme për të nga votuesit republikanë nuk është e madhe“.

Vendimi i zonjës Palin mund të ndikojë tek ligjvensëja e shtetit të Minesotës Mishel Bachman, e cila gëzon popullaritet tek të njëjtat grupe konservatore, si edhe zonja Palin. Edhe ish-senatori i Pensilvanisë Rik Santorium po ashtu shpreson të sigurojë mbështetje nga I njejti grup konservator. Ai pritet që t’i bashkohet zyrtarisht garës me ish-guvernatorin e sshtetit Utah, Jon Huntsman, i cili deri kohët e fundit ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kinë.

Një vëmendje e madhe në këtë fazë të hershme të garës presidenciale është përqëndruar tek disa shtete si Iowa, ku tradicionalisht zhvillohen konferencat e para partiake për zgjedhjen e kandidatëve.

Majk Glover është prej vitesh korrespondent politik i agjencisë Associated Press. Ai thotë se votuesit republikanë janë në kërkim të një kandidati konservator për t’u përballur vitin e ardhshëm me Presidentin Barak Obama.

“Ata mendohet që të zgjedhin një kandidat i cili të mbrojë idealet bazë të partisë. Por njëkohësisht, një person i cili të mund t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme dhe mendoj se për Partinë Republikane, një nga sfidat që do të ketë këtë herë, është zgjedhja e një kandidati, i cili të mundë Presidentin Barak Obama në nëntor të vitit 2012”.

Disa republikanë janë zhgënjyer, që një pjesë e kandidatëve të mundshëm vendosën të mos kandidojnë në garën e vitit 2012, mes tyre guvernatori i Indianës Miç Daniels, guvernatori i Misisipit Haley Barbour, ish-guvernatori i Arkansasit Majk Hakëbi dhe bisnesmeni nga Nju Jorku, Donald Tramp.

XS
SM
MD
LG