Lidhje

Kandidatët republikanë, përpjekje të fundit para zgjedhjeve partiake në Iowa


Kandidatët republikanë, përpjekje të fundit para zgjedhjeve partiake në Iowa
Kandidatët republikanë, përpjekje të fundit para zgjedhjeve partiake në Iowa

Në prag të votimeve për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane, që fillojnë më 3 janar në shtetin Ajova, kandidatët po i bien kryq e tërthor këtij shteti për të siguruar mbështetje. Ndërkohë që ata paraqesin argumentet e tyre përpara votuesve, ekonomia e ngadaltë dhe vendi i pasigurt i punës mbeten shqetësimet kryesore të banorëve të Ajovas.

Në Davenport, përgjatë lumit Misisipi, Dan Pekios përpiqet ta mbajë hapur librarinë që gjyshi i tij, emigrant grek, e ngriti në vitin 1939.

"Tani që çmimet e benzinës dhe të ushqimit janë rritur, njerëzit nuk kanë ç’i duan librat sepse librat nuk mund t’i hash."

Disa dhjetra metra më tej librarisë, ish-guvernatori Mitt Romney filloi fazën e fundit të fushatës së tij në Ajova, duke u përpjekur të tërheqë votuesit e pavendosur si Pekios.

"Biznese të tilla tradicionale si kjo, e ndjejnë se mezi po mbijetojnë, për shkak të politikave të qeverisë."

Por Pekios mbetet i pavendosur se për cilin kandidat do të votojë.

"Do të pres deri në minutën e fundit, dhe do t’i dëgjoj të gjithë. Dua të shoh se si do të shkojnë gjërat. Gara ka qenë shumë interesante deri tani. Por dua të shoh si të shkojë ekonomia."

Përpara votimit të së martës, kandidatët republikanë po i bien kryq e tërthor Ajovës, duke përfshirë kandidatin Ron Paul dhe ish kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich.

Ata po joshin votuesit e pavendosur si Mark Reetz, ndërtues shtëpish. Ai mori pjesë në një aktivitet fushate të Guvernatorit të Teksasit Rick Perry për të gjetur se cili kandidat është më i miri për të.

"Si ndërtues ne vuajmë nga rregullat tepër strikte që na kanë vënë. Sidomos nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit. Kemi shumë pengesa dhe këto na kushtojnë shumë."

Mary Klueder që punon në sistemin e kujdesit shëndetësor mbështet kandidatin Mitt Romney. Por ajo është pak e zhgënjyer me fushatën e këtij viti.

"Nuk kam parë shumë kandidatëve këtë herë. Sot është hera e parë që shikoj guvernatorin Romney – Mora vesh se kishte qenë edhe më parë. Por katër vjet më parë ai kishte zyrë këtu. Shumë prej kandidatëve nuk para vijnë këtu."

Klueder thotë se mungesa e aktiviteteve në bazë është ndoshta një arsye që njerëzit në Ajova nuk kanë një favorit të dukshëm, kur ata të hedhin votën të parët në përzgjedhjen e kandidatit republikan për president.

XS
SM
MD
LG