Lidhje

Kandidati Mitt Romney fiton zgjedhjet paraprake në tre shtete të tjera


Kandidati i republikan për President, Mitt Romney fitoi zgjedhjet paraprake në shtetet Connecticut, Delaware dhe Rhode Island, duke bërë në këtë mënyrë një hap tjetër përpara drejt emërimit si kandidat presidencial i Partisë Republikane.

Zoti Romney pritet të fitojë gjithashtu edhe në shtetet e Pensylvanisë dhe New-York-ut, dy shtete këto të cilat do të votojnë të martën e ardhshme.

Ish senatori Rick Santorum e pezulloi garën për t’u emëruar kandidat republikan 2 javë më parë. Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe kongresmeni Ron Paul zotërojnë një numër të vogël delegatësh krahasuar me zotin Romney, duke i dhenë kështu ish guvernatorit të shtetit Masaçusets një fitore të sigurt.

Presidenti Barack Obama do të ketë delegatë të mjaftueshëm për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate pas zgjedhjeve paraprake të së martës. Zoti Obama sivjet nuk do të ketë kundërshtarë nga radhët e Partisë së tij.

Dje, Presidenti Obama filloi një udhëtim dy-ditor nëpër universitete në Karolinën e Jugut, Kolorado dhe Ajova ku po paraqet planin e tij për një arsim më të lirë për studentët amerikanë.

Presidenti do që Kongresi të zgjasë një ligj i cili duhet të skadojë në korrik e që ndalon dyfishimin e interesit për kreditë e studentëve.

Edhe kandidati Mitt Romney, i cili i ka vënë në dyshim gjërat që ka bërë Presidenti për rininë që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë, e ka mbështetur zgjatjen e këtij ligji.

XS
SM
MD
LG