Lidhje

Kandidati republikan për president Rick Santorum i jep fund fushatës presidenciale


Ish senatori i Pensilvanisë Rick Santorum dje hoqi dorë nga gara presidenciale, duke i hapur rrugën ish-guvernatori të shtetit Masaçusets Mitt Romney që të marri emërimin e Partisë Republikane për president. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

I rrethuar nga anëtarët e familjes, Rick Santorum u tha gazetarëve në Getisburg të Pensilvanisë se pas shumë diskutimeve dhe reflektimit në ditët e fundit, ai ka vendosur t’i japë fund përpjekjeve të tij për të marrë emërimin e Partisë Republikane për president.

“Gjatë fundjavës kemi vendosur se ndërkohë që kjo garë presidenciale për ne ka përfunduar dhe ne do të pezullojmë fushatën tonë duke filluar sot, ne do të vazhdojmë luftën për vendin dhe platformën tonë”.

Pas këtij lajmi, kryesuesi i garës së republikanëve, Mitt Romney, lëshoi një deklaratë me shkrim duke e quajtur zotin Santorum “një konkurrent të aftë dhe të denjë” dhe e përgëzoi atë për fushatën që ai ka zhvilluar.

Rick Santorum doli në skenën kombëtare në fillim të janarit pasi fitores së zgjedhjeve paraprake të Partisë Republikane në Ajova. Ai fitoi edhe në disa shtete tjera jugore, por nuk arriti ta kapërcejë avantazhin e madh të rivalit të tij zotit Mitt Romney për nga numri i delegatëve të fituar, mbledhjen e fondeve dhe organizimin e fushatës.

Zoti Romney ka më shumë se gjysmën e 1 mijë e 144 delegatëve të nevojshëm për t’u bërë kandidat i Partisë Republikane për president. Vendimi i zotit Santorum për t’i dhënë fund fushatës së tij i hap rrugën zotit Romney që zyrtarisht të bëhet kandidati i mundshëm republikan që do të marri emërimin në konventën kombëtare të Partisë Republikane në Tampa të Florida në fund të gushtit.

Ish senatori i Pensilvanisë Santorum fitoi mbështetjen e votuesve të krishterë gjatë zgjedhjeve paraprake dhe ai e paraqiti veten si alternativë konservatore ndaj zotit Romney.

Zoti Santorum nuk i dha mbështetjen zotit Romney, por ai u zotua se do të punojë për të mos lejuar rizgjedhjen e Presidentit Obama për një mandat të dytë.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë për të mposhtur presidentin Barack Obama, për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, dhe ne do të luftojmë për vlerat që përkufizojnë amerikanët, që na bëjnë vendin më të mirë në botë”.

Ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich dhe kongresmeni nga Teksasi Ron Paul janë ende në garë së bashku me zotin Romney. Por, Ron Paul ka fituar një numër të vogël delegatësh dhe zoti Gingrich pothuaj e pranoi në një intervistë në stacionin televiziv Fox News se Mitt Romney do të jetë kandidati i partisë.


Largimi zotit Santorum nga gara do t’i mundësoj zotit Romney të përqëndrojë më shumë vëmendjen e tij në fushatën e përgjithshme zgjedhore kundër Presidentit Obama. Anketat e fundit të opinionit publik sugjerojnë se zoti Romney ka shumë punë për të bërë.

Anketa e fundit e opinionit publik e organizuar nga gazeta Washington Post dhe rrjeti televiziv ABC News tregon se presidenti Obama ka një epërsi të madhe ndaj zoti Romney, 51 për qind e të anketuarëve mbështesin presidentin Obama kundrejt 44 për qind të atyre që mbështesin zotin Romney.

XS
SM
MD
LG