Lidhje

Kandidatura e Mit Romnit varet nga mbështetja e konservatorëve


Kandidatura e Mit Romnit varet nga mbështetja e konservatorëve
Kandidatura e Mit Romnit varet nga mbështetja e konservatorëve

Ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney u shpall fitues i konferencave partiake republikane në Iowa, megjithëse me një ndryshim shumë të vogël votash ndaj rivalit të tij, ish senatorit të shtetit Pennsylvania, Rick Santorum. Zoti Romney kandidoi për president në zgjedhjet e vitit 2008, fitoi disa zgjedhje paraprake, por më në fund nuk arriti të fitonte emërimin e Partisë Republikane. Në qershor të vitit të kaluar, zoti Romney njoftoi kandidaturën e tij për president në zgjedhjet e nëntorit. Për disa muaj me radhë, zoti Romney është konsideruar si pretendenti kryesor për emërimin e Partisë Republikane për në zgjedhjet e 6 nëntorit kundër Presidentit Barak Obama. Në vazhdim do t’ju njohim me disa prej pikave kryesore të zotit Romney si guvernator dhe si politikan.

Në fushatën për president, Mit Romni shpreson që përpjekja e tij e dytë t’i sjellë rezultat.

Zoti Romni shpreson ta arrijë këtë objektiv, duke folur rreth përvojës së tij si guvernator i shtetit Masaçusets dhe për më tepër si afarist që të fitojë emërimin e Partisë Republikane dhe të ndeshet me presidentin Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit.

“Ne jemi amerikanë dhe nuk do të heqim dorë nga ëndrat tona për shkak të dështimeve të presidentit Obama. Ne jemi më të mëdhenj se sa politikat e gabuara dhe udhëheqja e dobët e një njeriu. Amerika është më e madhe se sa dështimet e Barak Obamës”.

Mit Romni u bë i njohur për herë të parë në skenën kombëtare kur u vu në krye të organizimit të Lojrave Olimpike Dimrore të vitit 2002 në Salt Lake City të shtetit Utah, pasi një skandal i la organizatorët origjinalë plotësisht të çorientuar.

Në postin e guvernatorit, zoti Romni e ka pozicionuar veten shpesh si të moderuar për të gjetur gjuhë të përbashkët në një shtet që është shumë demokrat. Gjatë asaj kohe, zoti Romni vuri në zbatim një plan kujdesi shëndetsor, i cili në disa mënyra u bë model për planin kombëtar të reformës së kujdesit shëndetsor, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Obama.

Plani i zotit Obama nuk gëzon mbështetje mes republikanëve konservatorë dhe mbetet një pikë e dobët për zotin Romni, ndërsa ai përpiqet të shtojë mbështetjen mes votuesve republikanë në zgjedhjet paraprake.

Lidhur me politikën e jashtme, ish guvernatori Romni beson se administrata e presidentit Obama ka qënë shumë e ashpër ndaj Izraelit dhe jo aq e ashpër ndaj Iranit dhe Kinës.

“Unë besoj se shekulli i ardhshëm duhet të jetë një shekull amerikan. Unë besoj se përparësia jonë kryesore duhet të jetë që të ruajmë një popull, një ekonomi dhe një ushtri aq të fuqishme sa që asnjë vend tjetër nuk do ta sfidonte dot më”.

Zoti Romni është mjaft i organizuar në fushatën parazgjedhore, madje ka fonde të shumta për këtë qëllim.

Megjithatë ai ka pasur momente të vështira, veçanërisht gjatë debateve mes kandidatëve republikanë, të cilat u kujtojnë votuesve se ai është i pasur.

Zoti Romni shpesh gjatë fushatës thekson eksperiencën e tij si afarist dhe thotë se rivalët e tij, si për shembull Newt Gingrich janë thjeshtë politikanë kariere. Deklarata të tilla u pasuan me përgjigjen e ashpër të zotit Gingrich gjatë një debati të kohëve të fundit në Iowa.

“Le të jemi të sinqertë. E vetmja arsye që ti nuk u bëre politikan kariere është se ti humbe ndaj Ted Kenedit në vitin 1994”.

Zoti Romni është konsideruar për një kohë të gjatë si kandidati më i preferuar republikan për në zgjedhjet e nëntorit, megjithatë ai duhet të kapërcejë dyshimet se ai është mjaft konservator për pjesën më të madhe të partisë, thotë analisti Xhon Fortier.

“Republikanët e shikojnë zotin Romni si një kandidat të pranueshëm. Ata i besojnë deklaratat e tij. Por ata nuk janë të sigurtë rreth bindjeve të tij dhe nëse ai është me të vërtetë konservator”.

Zoti Romni është përpjekur gjithashtu të kapërcejë shqetësimet rreth fesë së tij mormone. Megjithë këto dyshime, eksperti Stuart Rothenberg thotë se zoti Romni mbetet një pretendent mbresëlënës.

“Mit Romni është mes kandidatëve më të preferuar. Ai tërheq rreth 25 për qind të republikanëve dhe ka organizuar një fushatë presidenciale të madhe dhe të mirë. Megjithatë, nuk e dimë ende nëse kjo është e mjaftueshme për të siguruar emërimin e partisë”.

Duke pasur parasysh organizimin e fushatës dhe fondet që ka grumbulluar, është e qartë se Mit Romni do të qëndrojë në garën republikane për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG