Lidhje

Kantrimen: Palët në Shqipëri të qetësojnë situatën

  • Arben Xhixho

Kantrimen: Palët në Shqipëri të qetësojnë situatën

Kantrimen: Palët në Shqipëri të qetësojnë situatën

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen u bën thirrje dy palëve në Shqipëri të qetësojnë situatën. Zoti Kantrimen e quan të gabuar vendimin e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për organizimin e protestës të premten. Shtetet e Bashkuara, thotë ai, do ta ndihmojnë Shqipërinë me hetimet e ngjarjeve të 21 janarit. Udhëheqësit politikë, shton zyrtari i lartë amerikan, duhet të mos përzihen, por të bashkëpunojnë me prokurorinë për hetimet. Me zotin Kantrimen bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.


Zëri i Amerikës: Zoti Kantrimen, që nga intervista e fundit që kemi zhvilluar para dy javësh, situata në Shqipëri është përkeqësuar. Cili është mendimi i qeverisë amerikane për situatën e tanishme. Sa shqetësuese është ajo?

Thomas Countryman: E premtja, 21 janari, ishte një ditë e trishtueshme për gjithë shqiptarët, veçanërisht për shkak të humbjes së jetës së tre personave gjatë dhunës politike. Në një situatë të tillë nuk ka fitues. Ka vetëm humbës mes udhëheqësve politikë, humbet populli dhe imazhi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, aty ku ajo synon të anëtarësohet. Vazhdimi i përpjekjeve për të kthyer këtë gjendje humbjeje në një gjendje fitoreje, rrezikon të sjellë dhunë të mëtejshme. Shtetet e Bashkuara, si një mik i mirë i Shqipërisë, ndajnë thellësisht shqetësimet që ekzistojnë sot për dhunë dhe për përsëritjen e dhunës. Prandaj ambasadori Arvizu me mbështetjen e fortë të Departamentit të Shtetit, po punon intensivisht me Bashkimin Evropian, me OSBE-në, t’u japë palëve një mundësi të ndalen për një moment, të marrin frymë thellë, të rivlerësojnë dhe qetësojnë situatën. Lidhur me gjendjen e sotme, dua të ritheksoj atë që tha ambasadori Arvizu, se pas kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë teknike. Hetimet do të drejtohen nga pala shqiptare, me ndihmën teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes, të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standartet evropiane. Kjo do t’u jepte të dy palëve mundësinë të thonin se shqetësimet e tyre për dhunën po zgjidhen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për situatën e sotme politike, por edhe për zhvillimin e institucioneve të Shqipërisë. Është jetike që një institucion i pavarur si Prokuroria të jetë në gjendje të bëjë punën, të jetë në gjendje të bëjë një hetim të besueshëm të asaj të ndodhi të premten. Së dyti, dua të them se ne mirëpritëm vendimin e Kryeministrit për të anuluar manifestimin që partia Demokratike kishte planifikuar për të shtunën. Pas bisedave që pati me ambasadorin Arvizu dhe ndihmës sekretarin e shtetit Phil Gordon, ai arriti një vendim, që unë besoj është në përputhje ne nevojën e sotme për të qetësuar situatën dhe shmangur një rritje të temperaturave. Ne e mirëpresim këtë vendim. Kryetari i Partisë Socialiste, ka bërë të ditur se ai synon të zhvillojë një demostratë paqësore të premten. Unë kam respekt të plotë për zotin Rama, por duhet të them se sinqerisht, ky është një gabim. Gjendja sot në Shqipëri është tejet e mbingarkuar. Edhe me synimet më të mira, edhe me synimin e mirë javën e kaluar për të zhvilluar një protestë paqësore, pati dhunë. Është e vështirë për çdo politikan të premtojë se do të ketë protestë paqësore, kur ajo planifikohet në një atmosferë kaq të nxehtë. E di se demonstrata bëhet në kujtim të tre viktimave, por unë jam i shqetësuar, se në se demostrata zhvillohet, në se kalohet në dhunë, në vend që të nderoheshin viktimat, do të krijohej efekti i kundërt.

Zëri i Amerikës: Le të ndalemi për një moment tek hetimi i ngjarjeve. Ka shumë teori se si arriti Shqipëria deri këtu, por sot është arritur në këtë pikë, dhe hetimet janë ndër më të rëndësishmet. Të dyja palët i referohen institucionit të prokurorisë. Por a mendoni se ekzistojnë kushtet për hetime të paanshme.

Thomas Countryman: Ne jemi të kënaqur që Prokurorja e Përgjithshme na kërkoi ndihmë dhe ne jemi në gjendje t’i përgjigjemi pozitivisht kërkesës, megjithëse besoj më kuptoni, se hollësitë nga ndihma konkrete që mund të japim, ende nuk janë finalizuar. Kryeministri e mirëpriti përgjigjen tonë pozitive, po ashtu edhe udhëheqësi i opozitës e mirëpriti përgjigjen tonë. Besoj se të gjitha partitë, gjithë lojtarët e rëndësishëm në Shqipëri e kuptojnë se një hetim i paanshëm, me ndihmë teknike nga jashtë është një prej elementëve kyçë për të zgjidhur dilemën e tanishme politike. Dhe përsa kohë palët i përmbahen këtij qëndrimi dhe e lejojnë prokurorinë të bëjë punën, besoj se kjo do të ndihmojë në qetësimin e gjendjes dhe do të sjellë dialogun dhe kompromisin e duhur.

Zëri i Amerikës: A mendoni se në këtë situatë të mbingarkuar, pas sulmeve të ndërsjella midis Ramës dhe Berishës që janë bërë personale, këta dy udhëheqës mund të ulen dhe të negociojnë me njeri tjetrin? A është e mundur kjo?

Tom Kantrimen: Do të thoja që në politikë gjithshka është e mundur. Besoj se ndaj me shumicën e shqiptarëve zhgënjimin që politika është personalizuar dhe është bërë e pamoralshme. Ajo nuk është më rreth ideve, rreth konkurencës midis dy forcave, që e thonë qartë se çfarë qëndrimesh mbrojnë, por që sulmojnë e kundërsulmojnë, gjë që nuk pasqyron atë shtet evropian siç dëshiron të jetë Shqipëria. Nga ana tjetër, kam parë armiq me një të kaluar më të tmerrshme se sa këto dy parti, që janë ulur në tryezë dhe kanë arritur kompromis për të mirën e popullit të tyre. Kjo është ajo që duam të shikojmë në Shqipëri tani. Por më e rëndësishme se ç’duam ne amerikanët, ose evropianët për Shqipërinë, më e rëndësishme është ajo që do populli shqiptar. Dhe unë jam i bindur se populli nuk dëshiron më dhunë, nuk do të shikojë më fyerje, ai do të shohë udhëheqës që kanë forcën e duhur për të biseduar e arritur kompromise.

Zëri i Amerikës: Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. A mendoi se ato janë një alternativë për zgjidhjen e problemeve?

Tom Kantrimen: Jo.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se ndikon tek imazhi i Shqipërisë fakti që një vend i NATO-s, një vend që aspiron të hyjë në BE, nuk është në gjendje të kryejë hetime të tilla të thjeshta, si një videokasetë korrupsioni, apo një protestë?

Tom Kantrimen: Dy çështje këtu. Së pari nuk është mirë për imazhin e Shqipërisë. Prandaj e thashë në fillim se ka vetëm të humbur, nuk ka fitues dhe se synimi nga njëra palë ose tjetra, për të gjetur fitore në një humbje të përgjithshme, të tërheq edhe më poshtë. Përsa i përket aftësisë së institucioneve, unë besoj se institucionet e pavarura në Shqipëri janë të afta të bëjnë hetime të besueshme. Por ajo që duhet është që udhëheqësit politikë të heqin dorë dhe të mos i përdorin përpjekjet e prokurorëve si një mjet politik. Kjo është një çështje ligjore, kjo ka të bëjë me atë se çfarë shteti dëshiron të jetë Shqipëria. Ky nuk është një mjet që një palë të godasë tjetrën. Partitë duhet të mos përzihen, duhet të bashkëpunojnë me prokurorinë dhe të lejojnë hetimet të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Cilin shikoni si hapin tjetër që do të hidhet në Shqipëri tani?

Tom Kantrimen: Ajo që është e nevojshme tani është qetësimi i atmosferës. Nuk duhet të ketë më demonstrata, duhet të ketë më pak retorikë. Në të njejtën kohë, një hap tjetër i rëndësishëm është që të lejohet prokuroria të bëjë punën për të gjetur faktet. Përtej kësaj, ekziston nevoja që të dy palët të tregojnë angazhim për një fushatë të pastër, të ndershme e transparente për zgjedhjet lokale të majit. Dhe kjo nuk varet vetëm nga të dyja partitë. Varet edhe nga partitë e tjera politike si dhe nga qytetarët në Shqipëri. Në se njerëzit kërkojnë që zgjedhjet t’u përkasin atyre dhe jo dy partive, dhe në se ata i vëzhgojnë zgjedhjet, që ato të jenë të lira e të drejta, ky do të ishte një hap i madh drejt zgjidhjes së krizës politike dhe do të tregonte atë që unë e besoj, se Shqipëria është plotësisht e aftë të jetë një vend modern, anëtar i Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Njerëzit në Shqipëri e hedhin vështrimin nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për zgjidhjen e problemeve të tyre. Çfarë mund të bëjnë më shumë Shtetet e Bashkuara në këtë situatë?

Tom Kantrimen: Në një vështrim afatgjatë, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara, është të bindin shqiptarët, që të mos shikojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për zgjidhjen e problemeve të tyre. Këto janë çështje që një shtet evropian, demokratik, një anëtar i NATO-s, duhet të jetë në gjendje t’i zgjidhë përmes sistemit të vet politik. Është po ashtu jetike, që populli i Shqipërisë t’i kërkojë udhëheqjes së vendit zgjidhje paqësore, kompromisi. Këtu nuk arrihet menjëherë. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë, që në stadin e tanishëm të zhvillimit të saj politik, Shqipëria mbështetet shumë tek Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur probleme, që vendi duhet të gjejë rrugën t’i zgjidhë vetë. Në të ardhmen e afërt, ne do të ndihmojmë me hetimet, do të vazhdojmë të flasim me të dy partitë, për të ulur temperaturat, dhe ne do të punojmë me gjithë partitë, me gjithë shoqërinë civile dhe organizatat jo-qeveritare dhe me OSBE-në, për të ndihmuar që zgjedhjet e majit për pushtetin vendor të jenë të pastra, transparente dhe që ato t’u përkasin qytetarëve të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG