Lidhje

Kantrimen: SHBA mbështesin kryerjen e një hetimi nëse raporti i z. Marti përmban dëshmi të re

  • Katarina Radovic

Kantrimen: SHBA mbështesin kryerjen e një hetimi nëse raporti i z. Marti përmban dëshmi të re

Kantrimen: SHBA mbështesin kryerjen e një hetimi nëse raporti i z. Marti përmban dëshmi të re

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Tom Kantrimen komentoi edhe për Kosovën. Lidhur me akuzat e parlamentarit Dik Marti për rrjete mafioze dhe krim të orgznizuar në Kosovë, zoti Kantrimen tha se nëse ka ndonjë dëshmi të re, Shtetet e Bashkuara mbështesin kryerjen e një hetimi dhe presin që, të gjitha vendet në rajon si dhe dëshmitarët e mundshëm të bashkëpunojnë. Ndërsa lidhur me zgjedhjet e fundit në Kosovë, zyrtari amerikan tha se ato ishin më të organizuarat të mbajtura ndonjëherë atje.

Raporti i Zotit Dik Marti

"Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht raportin e Zotit Dik Marti, të paraqitur në Këshillin e Evropës. EULEX-i, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka shqyrtuar më parë akuza të ngjashme. Nëse ka prova të reja që përmbahen në këtë raport, ose dëshmitarë të rinj, atëherë është e nevojshme që këto t’i kalohen EULEX-it dhe autoriteteve të tjera kompetente që të mund t’i hetojnë. Ne presim të dëgjojmë dhe e mirëpresim fjalën e qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë se ato do të bashkëpunojnë me çdo hetim që mund të ndërmerret. E themi në mënyrë të përsëritur se nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vendosja e sundimit të ligjit në të gjithë Evropën juglindore. Sot, ende ka shumë krim të organizuar jo vetëm në Kosovë, në jug dhe në veri të saj, por në çdo vend të rajonit. Dhe, duhet të ketë veprime më të efektshme nga qeveritë e ndryshme në bashkëpunim me autoritetet lokale për të punuar rreth kësaj çështjeje. Përsa i përket akuzave konkrete për të cilat bëhet fjalë, unë nuk i kam parë provat e paraqitura nga zoti Marti dhe nuk mund të komentoj pa i parë. Por do të them se në përgjithësi, i gjithë qëllimi i një hetimi të tillë që ka një zanafillë më të vjetër, është të përcaktohen përgjegjësitë individuale për krimet që kanë ndodhur në rrethanat e luftës. Nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive, ku të gjithë serbëve, të gjithë shqiptarëve apo të gjithë kroatëve u hidhet faj për veprimet e pak individëve. Pra, nëse ka ndonjë dëshmi të re, ne mbështesim kryerjen e një hetimi dhe presim që, të gjitha vendet në rajon si dhe dëshmitarët e mundshëm të bashkëpunojnë. Autoriteti kompetent në rastin e Kosovës është EULEX-i, misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit."

Bisedimet e pritshme Prishtinë-Beograd

"Qëndrimi ynë është se, nëse akuzat nuk provohen dhe nuk ka veprime ligjore, nuk ka arsye që të mos punohet me individët që përmenden në raport. Sidomos në rastin e zotit Thaçi. Ai është kryeministri aktual i Republikës së Kosovës, dhe ka të ngjarë të mbetet kryeministër pas përfundimit të procesit të tanishëm zgjedhor. Ne shpresojmë se një dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian do të fillojë mes Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin që vjen. Ajo që ne shpresojmë nga të dyja palët është që ato të tregohen praktike dhe krijuese. Qëllimi i dialogut është të zgjidhen çështjet e përditshme që e pengojnë popullin e Kosovës të bëjë një jetë normale. Është e nevojshme të bëhen përpjekje dhe të gjendet një mënyrë që qeveritë të punojnë së bashku në mënyrë që Kosova të jetë një shtet i suksesshëm, i njohur nga bashkësia ndërkombëtare me integritet të plotë tokësor e me sovranitet të plotë, dhe që, të gjitha garancitë e kushtetutës së saj -- që është kushtetuta më e përparuar në botë në kuptimin e të drejtave që u jep grupeve jo shumicë – pra, që kjo kushtetutë të zbatohet plotësisht. Kjo është një pikë e rëndësishme diskutimi mes Beogradit dhe Prishtinës. Ne presim që ata të hyjnë në bisedime me vullnet të mirë dhe me një qëndrim praktik."

Zgjedhjet në Kosovë

"Unë isha vetë në Kosovë për zgjedhjet dhe i pashë votimet si në zonat me shumicë shqiptare ashtu edhe në zonat ku serbët janë shumicë, në Graçanicë dhe të tjera. Ajo që pashë unë dhe vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë, ishte se këto qenë zgjedhjet më të organizuara të mbajtura ndonjëherë në Kosovë. Megjithatë, pati probleme serioze gjatë votimeve në komuna të veçanta ku nuk u respektuan rregullat. Si rrjedhojë, më 9 janar në këto komuna do të ketë rivotim. Për fat të keq, në veriun e Kosovës, qytetarët nuk u lejuan të vendosnin lirisht nëse do të merrnin pjesë apo jo. Në pjesën më të madhe të Kosovës, serbët dhe grupet e tjera etnike nuk u penguan aspak të merrnin pjesë. Vetëm në veri të Kosovës, disa grupe të caktuara politike përdorën dhunën ose kërcënimin për dhunë për të mos lejuar serbët të shkonin e të votonin. Kjo është për të ardhur keq dhe për fat të keq Beogradi nuk bëri sa duhet për të shprehur kundërshtim ndaj taktikave të tilla të dhunës."

XS
SM
MD
LG