Lidhje

Kapet i dyshuari për shpërthimet e Bostonit


Policia ka kapur gjallë të dyshuarin e dytë në shpërthimet e Maratonës së Bostonit, pas një operacioni që zgjati gjithë ditën në një lagje në periferi të Bostonit.

Policia rrethoi 19 vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev që ishte fshehur në një barkë të parkuar në oborrin e një banese në qytezën Watertown pranë Bostonit. Sipas njoftimeve, ai është i plagosur, por nuk dihet ende se në ç’gjendje.

Banorët dolën në rrugë pas njoftimit duke brohoritur dhe duartrokitur për policinë dhe punonjësit e ekipeve të emergjencave, që filluan të largohen nga Watertown.

Presidenti Barack Obama, në komentet për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë tha se vendi nderon popullin e Bostonit dhe Masaçusetsit si dhe punonjësit e forcave të rendit për atë që e cilësoi një punë të shkëlqyer në këtë operacion. Presidenti tha se autorët e shpërthimit dështuan pasi amerikanët nuk pranojnë të terrorizohen.

Policia ka identifikuar Dzhokar Tsarnaev dhe vëllain e tij të madh Tamerlan si të dyshuar në shpërthimet e së hënës gjatë Maratonës së Bostonit. Shpërthimet lanë të vrarë tre vetë dhe plagosën më shumë se 170 të tjerë. Ata u identifikuar disa orë pasi FBI-ja publikoi fotot e tyre me shpresën për të marrë ndihmë nga publiku.
XS
SM
MD
LG