Lidhje

Karoceloja e famshme Pier Ferris e Santa Monikës punon me energji diellore


Karoceloja e famshme Pier Ferris e Santa Monikës punon me energji diellore
Karoceloja e famshme Pier Ferris e Santa Monikës punon me energji diellore

Për më shumë se 12 vjet, karoceloja e famshme Pier Ferris e Santa Monikës, në jug të Kalifornisë, punon me energji diellore. Struktura rrethore rreth 30 metra e lartë që quhet Rrota e Paqësorit u inaugurua sëbashku me Parkun e Paqësorit në vitin 1996. Natën koroceloja ndiçohet nga dritat shumëngjyrëshe që dërgojnë rreze “të pastra dhe të gjelbra” në molon me famë botërore të Santa Monikës. Në serinë e përjavëshme “Prirjet e Gjelbra”, kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi.

Karoceloja e Paqësorit, e inauguruar në vitin 1996, u rikonstruktua dy vjet më vonë për të shfrytëzuar energjinë diellore. Dhjetë vjet më vonë, një strukturë e re zëvendësoi karocelon e famshme të Santa Monikës, për të përfshirë formën dhe praktikën “e gjelbër”. Ndërsa rrota e vjetër kishte 5 mijë drita inkandeshente, struktura e re ka 160 mijë drita me efiçiencë të lartë energjie.

Struktura e re ka një pamje mahnitëse natën dhe ndriçon këtë pjesë të bregdetit të gjatë të Kalifornisë. Xhef Klok punon në Parkun e Paqësorit, ku ndodhet edhe karoceloja “e gjelbër”, e para dhe e vetmja në botë që punon me energji diellore. Ai thotë se meqë dritat e saj ushqehen me energjinë e akumuluar nga panelet diellore, pra me energji të pastër.

“Ato kanë zëvendësuar 3500 drita inkandeshente me 162 mijë drita LED. Ato janë spektalkolare. Natën ato krijojnë një mori formash dhe figurash. Nga Autostrata e Brigjeve të Paqësorit, nga Venice në Malibu, mund të shikosh dritat që i japin një pamje të pabesueshme dhe të veçantë qiellit të Santa Monikës”.

Shfaqja ekstravagante e dritave emeton shumë pak gaz karbonik, pasi panelet fotovoltike thithin dhe akumulojnë energjinë gjatë ditës për të ushqyer karocelon. Sistemi gjeneron rreth 71 mijë kilovatorë energji diellore.

Zoti Klok thotë se dritat LED të karocelos kanë jetëgjatësi më të madhe, çlirojnë më pak ngrohtësi dhe kanë dritë më të fortë, krahasuar me teknologjinë e mëparëshme të ndriçimit. Ato nuk përmbajnë elementin e rrezikshëm të mërkurit që gjendet në dritat e zakonshme dhe ushqehen me një pjesë fraksion të energjisë, krahasuar me dritat inkandeshente.

“Ne jemi tepër të angazhuar në ruajtjen e mjedisit dhe kemi ndërmarrë disa nisma në park për ta mbrojtur atë. Ne përdorim dritat LED edhe për ndriçimin e karocelove me shina, me gjatësi rreth 400 metra”.

Parku i Paqësorit po kursen tani më shumë para nga konsumi i energjisë si rezultat i dritave LED që ushqehen me energji nga panelet diellore. Ndërsa Kaloceloja e famshme e Paqësorit që është përfshirë në shumë filma të Hollivudit dhe video muzikore, është bërë edhe më e famshme si struktura e vetme e këtij lloji në botë që funksionon vetëm me energji diellore.

XS
SM
MD
LG