Lidhje

Ministrat e Jashtëm të Kartës së Adriatikut në Shkup

  • Isak Ramadani

Në takim ishte i pranishëm edhe zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker

Ministrat e Jashtëm të pesë vendeve të Kartës së Adriatikut u mblodhën në Shkup me rastin e 10 vjetorit të kësaj nisme rajonale. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë në rolin e vëzhguesve.

Në takim ishte i pranishëm edhe zv-ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, i cili nënvizoi nevojën për një debat publik në lidhje me propozimin e fundit të ndërmjetësit në çështjen e emrit të Maqedonisë. Ndërkohë, në lidhje me marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, zyrtari i lartë amerikan Reeker tha se është bërë një hap i madh përpara.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski ashtu si edhe autoritetet qeveritare në Shkup fajësuan Athinën zyrtare për mungesë të një dialogu intensiv dhe të hapur.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj ka theksuar në takim synimet e vendit të tij për të qenë një eksportues i sigurisë, siç është shprehur ai. Ndërkohë zoti Hoxhaj e ka vënë theksin tek marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë që ofron siguri dhe qëndrueshmëri për të gjithë rajonin dhe që, sipas tij, paraqet fundin e konfliktit shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara janë partnere me grupin A-5 ku bëjnë pjesë Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Karta e Adriatikut vlerësohet si një mekanizëm i mirë për bashkëpunimin rajonal.

XS
SM
MD
LG