Lidhje

Industria e modës dhe kartelet e drogës


Zyrtarët amerikanë thonë se kanë zbuluar rrjete kriminale që pastronin dhjetëra milionë dollarë të karteleve meksikane të drogës nëpërmjet bizneseve të modës në Los Anxhelos. Korespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton për arrestimin e nëntë personave, ndërkohë që rreth një mijë agjentë qeveritarë u shpërndanë dje në mbarë qytetin.

Policia arrestoi tre persona të lidhur me një biznes të quajtur QT Maternity në lagjen aktive të modës në Los Anxhelos. Autoritetet thonë se pronari i biznesit dhe dy punonjës kishin kanalizuar shumën e paguar për një amerikan të mbajtur peng nga karteli i drogës Sinaloa. Përpara se pengu të lirohej, shuma në fjalë ishte shpërndarë nëpërmjet 17 bizneseve të modës.

Autoritetet lëshuan mandat arreste edhe për tre persona në Meksikë.

Akuza të tjera kanë të bëjnë me veprime të kryera nga kompani të modës të cilat sipas autoriteteve kanë pastruar nëpërmjet shitjes së veshjeve paratë e fituar nga tregtia e drogës.

Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 65 milionë dollarë, përfshirë 35 milionë dollarë cash vetëm në një vendndodhje në Los Anxhelos.

Pjesë e hetimit ishte ndjekja e itinerarit të çantave të shpinës dhe kutive të kartonit të mbushura me para, thotë prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Kamala Harris.

“Megjithëse duket i komplikuar, thelbi i këtij operacioni ishte shumë i thjeshtë – ndiq paratë.”

Çështja është në zhvillim dhe priten të tjera arrestime në radhët e atyre që bashkëpunojnë me kartelet e drogës, thotë William Bodner nga agjensia e Shteteve të Bashkuara për luftën kundër drogës, DEA.

“Ky është vetëm fillimi. Të gjitha agjensitë ligj-zbatuese të Los Anxhelosit u janë vënë pas.”

Industria e modës e Los Anxhelosit është një biznes prej 18 miliardë dollarësh në vit. Zyrtarët thonë se ky biznes ka thithur paratë e drogës që para katër vitesh kur qeveria meksikane shtrëngoi kufizimet mbi transferimin e parave cash.

XS
SM
MD
LG