Lidhje

“Karvani i Bereqetit” shpërndan mesazhe begatie e vëllazërimi


“Karvani i Bereqetit” shpërndan mesazhe begatie e vëllazërimi
“Karvani i Bereqetit” shpërndan mesazhe begatie e vëllazërimi

I nisur nga Bashkia “ Bajram Pasha” e Stambollit, “Karvani i Bereqetit” po udhëton nëpër vendet e Rajonit te Ballkanit duke shtruar iftare dhe duke shpërndarë mesazhe begatie dhe vëllazërie.

Në iftarin e shtruar në një nga sheshet qendrore të qytetit të Shkodrës merrnin pjesë disa qindra besimtarë muslimanë të këtij qyteti.

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, tha se ngjarje të tilla dëshmojnë vëllazërinë dhe besimin e vëllezërve muslimanë:

"Lutem dhe shpresoj që kombi shqiptar dhe shqiptarët, kudo që janë, të gëzojnë dhe të jetojnë në paqe në këto ditë të madhnueshme të muajit të Ramazanit dhe të shërbejnë këto ditë dhe këto netë për t’u forcu ndjesia e jonë ndaj besimit në Zotin, gjë që do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të harmonisë, vëllazërisë dhe mirëqenies në vendin tonë dhe në çdo cep të Shqipërisë. Unë uroj me zemër që ky Ramazan i Madhnueshëm të sjellë mbarësi, mirësi e mirëqenie të pafund për shqiptarët dhe mbarë muslimanët në tërë botën".

Për nënkryetarin e Bashkisë “Mehmet Pasha” të Stambollit, Gëkhan Balekollu, Ramazani është muaji i begatisë, kur ata dëshërojnë të ndajnë diçka me vëllezërit te tyre në Shqipëri dhe Ballkan:

"Kemi nisur këtë rrugëtim të gjatë me moton: Vëllazëria nuk njeh kufij. Ndaj, ne shpresojmë që kjo sofer iftari, e shtruar sot, të jetë një urë lidhëse dhe tregues vëllazërie mes popujve tanë".

Ndërsa për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, festime të tilla janë një rast për të dëshmuar vëllazërinë dhe harmoninë mes besimeve të ndryshme fetare, traditë kjo e njohur për qytetarët e Shkodrës.

Në iftarin e shtruar nga Bashkia “ Mehmet Pasha” e Stambollit, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Myftininë e Shkodrës, ishin ftuar edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare. Për famullitarin e Shkodrës, Gjovalin Sukaj, ky iftar është shprehje e harmonisë mes kulturave dhe besimeve të ndryshme.

Karvani i Bereqetit organizohet për të gjashtin vit në qytetin e Shkodrës. Pas këtij qyteti, ai do të vazhdojë rrugën drejt Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Rajonit të Ballkanit duke përcjellë mesazhin se vëllazëria nuk njeh kufij.

XS
SM
MD
LG