Lidhje

Presidenti afgan në Uashington këtë javë

  • Scott Stearns

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai vjen këtë javë në Uashington për bisedime me Presidentin Barack Obama lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe pas tërheqjes së forcave amerikane në fund të vitit të ardhshëm.

Presidenti Karzai u takua me Sekretarin amerikan të Mbrojtes, Leon Panetta muajin e kaluar, ndërkohë që bisedimet e kësaj jave pritet të përqëndrohen në marrëdhëniet amerikano-afgane pas tërheqjes më 2014 të shumicës së 60 mijë trupave që aktualisht ndodhen në Afganistan. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland.

“Mendoj se do të diskutohet për një gamë të gjerë çështjesh: si ato të sigurisë dhe të kalimit të pushtetit politik. Në vitin 2014 në Afganistan do të mbahen zgjedhjet. Presim të flitet për mbështetjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, mbi strategjinë tonë të rrugës së mëndafshtë dhe të integrimit rajonal. Pra ka shumë çështje që do të diskutohen kur Presidenti Karzai të vijë në Uashington dhe ne të gjithë jemi të interesuar për vizitën e tij”.

Luftëtarët talibanë vazhdojnë të minojnë sigurinë në Afganistan dhe kanë ende nën kontroll pjesë të mëdha të vendit, veçanërisht përgjatë kufirit me Pakistan.
Analistja e Institutit Cato, Malou Innocent thotë se mandati i dytë i Presidentit Obama është një mundësi për të ndryshuar qëndrimin amerikan ndaj Afganistanit.

“Të fillohen përpjekjet për të bashkëpunuar me talibanët, që ata të përfshihen në një farë mënyre në qeverinë e Presidentit Karzai. Të pranohet realiteti në teren se talibanët kanë ndikim në zona të mëdha të vendit, e njohin terenin dhe kanë mbështetje jo vetëm në Afganistan, por edhe në Pakistan. Duhen kuptuar dhe pranuar interesat tona dhe aftësitë tona të kufizuara për të ndryshuar situatën”.

Afganistani dhe Pakistani po bashkëpunojnë mbi lirimin e disa të burgosurve talibanë, në kuadër të përpjekjeve për të tërhequr elementë më të moderuar të këtij grupi.
Zëdhënësi i qeverisë afgane, Aimal Faizi.

“Ne shpresojmë që lirimi i këtyre të burgosurve talibanë do të ndihmojë procesin e paqes në Afganistan dhe do të inkurajojë talibanë të tjerë të negociojnë me qeverinë afgane”.

Zëdhënësja e Departmamentit të Shtetit Nuland thotë se ky është një fillim i mirë.

“Kjo duhet bërë në një formë që nxit mënyrën më të mirë për të ardhmen, dënimin e akteve të dhunës, pranimin e kushtetutës afgane e të tjera. Ne kemi mbështetur shumë dialogun mes Afganistanit dhe Pakistanit, që mund të mbështesë ripajitimin”.

Profesori i Institutit për Lindjen e Mesme, Marvin Weinbaum thotë se po bëhen përpjekje më të mëdha për pajtimin mes dy vendeve, pas më shumë se një dekade luftimesh.

“Do të ishte mirë që të arrihet një zgjidhje politike, e cila do të na krijonte një ndjenjë më të mirë se pas tërheqjes amerikane në vitin 2014 Afganistani nuk do të përballet me probleme”.

Administrata e presidentit Obama thotë se "një prani sigurie" në Afganistan do të vazhdojë edhe përtej vitit 2014, përfshirë trejnimin dhe mbështetjen e operacioneve kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG