Lidhje

Kashmir: Kontrolli i tregëtisë, çelësi i begatisë dhe paqes


Kashmir: Kontrolli i tregëtisë, çelësi i begatisë dhe paqes
Kashmir: Kontrolli i tregëtisë, çelësi i begatisë dhe paqes

Një nga fushat kryesore në përpjekjet për ndërtimin e mirëbesimit mes Indisë dhe Pakistanit është heqja e pengesave tregtare në kufirin e debatueshëm të Kashmirit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kurt Achin udhëtoi në Luginën e Kashmirit dhe bisedoi me tregtarët në Kashmirin indian

Pakistani dhe India kanë zhvilluar dy luftëra mbi Kashmirin, për të cilin të dy vendet kanë pretendime. Të dy këto shtete vendet janë të pajisura me arsenale bërthamore që synojnë shkurajimin e njëri-tjetrit nga fillimi i një konflikti të tretë ushtarak.

Më 2008, si një masë e ndërtimit të mirëbesimit, të dyja palët filluan dërgimin e kamionëve tregëtarë përmes vijës së ashtuquajtur “vija e kontrollit” që ndanë Kashmirin e kontrolluar nga Pakistani nga pjesa që India e quan shteti i Xhamut dhe Kashmirit.

Sulmet terroriste të nëntorit vitit 2008 në Mumbai, për të cilat India ka fajësuar Pakistanin, çuan në ndalimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Tregtia mbi vijën e kontrollit u ndërpre dhe kalimi i makinave lejohej vetëm dy ditë në javë.

Frutat dhe perimet që mund të shiteshin në anën tjetër të kufirit shpesh përfundonin në plehra.

India dhe Pakistani kanë filluar përsëri të hedhin hapa drejt dialogut. Hilal Ahmed Turki është Sekretar i Përgjithshëm i Tregëtisë në Vijën e Kontrollit për një shoqatë tregtare private. Ai thotë se ka ardhur koha për heqjen e pengesave të mëdha tregtare brenda Kashmirit.

“Ne kërkojmë vendosjen e një mekanizmi bankar, lejimin e komunikimit mes partnerëve tregtarë, dhe heqjen e masave ndaluese ndaj të gjithë artikujve të miratuar për tregëti”.

Vendosja e masave ndaluese të paparashikuara tregëtare është ankesa kryesore mes eksportuesve kashmiras. Ndalimi i tregtimit të specave djegës ka krijuar një sasi të madhe inventari në këtë magazinë. Tregtarët kashmiras, të cilët donin t’i realizonin porositë në anën tjetër të kufirit kanë pësuar humbje të mëdha.

Pasi nuk lejohen takimet mes tregtarëve, dhe lejohen vetëm thirrje telefonike të rastit, arritja e marrëveshjeve për transaksione shpesh përfundon në punë hamendjesh.

Nga mugesa e marrëveshjeve për realizimin e transaksioneve me para në dorë, tregtia ndër-kashmirashe realizohet përmes shkëmbimit mall-me-mall. Nëse një tregtar nuk mund të shesë artikujt që ka marrë nga kolegu i tij, ai fton një palë të tretë ose të katërt për të marrë pjesë në marrëveshje, në një tregëti që është bërë gjithnjë e më e komplikuar.

“Natyrisht kjo duhet të zgjidhet në bisedimet mes Indisë dhe Pakistanit, por duket se ata në fund të fundit do të arrijnë një marrëveshje për realizimin e transaksioneve në dollarë. Ajo që duam ne tregtarët është përcaktimi i vlerës të mallit tonë”.

Shakeel Qalander ka qenë zyrtar i lartë i tregtisë në Xhamu dhe Kashmir dhe tani ai është sipërmarrës. Ai mendon se ka të ngjarë që zgjidhja për këtë problem të jetë përdorimi i dy monedhave.

“Nuk shoh ndonjë arsye pse qeveria e Indisë dhe ajo e Pakistanit kanë rezerva për vendosjen e një mekanizmi bankar. E vetmja gjë që qeveritë e Indisë dhe Pakistanit duhet të bëjnë është vendosja e monedhave të dy vendeve në sistemin e këmbimit valutor të tyre”.

Rregullat e tanishme e kufizojnë tregëtinë në vetëm 21 artikuj, kryesisht në artikuj bazë dhe artizanati. Zoti Qalandar thotë se ka ardhur koha që të hiqen masat kufizuese ndaj tregtisë.

“Ne thjesht kërkojmë që të gjitha prodhimet në të dy anët e Kashmirit të futen në listën e artikujve që mund të tregtohen. Shërbimet duhet të përfshihen gjithashtu. Sepse për ndërtimin e masave të mirëbesimit duhet të ketë më shumë kontakte mes njerëzve nga të dyja anët. Dhe kjo do të ulë tensionet. Kjo tashmë i ka ulur tensionet”.

Për zotin Qalandar dhe mbështetësit e tjerë të tregëtisë mes dy anëve të Kashmirit, të dhënat janë argument bindës për heqjen e pengesave.

“Mendoj se vlera e kësaj tregtie është jo më pak se 2 miliardë dollarë në vit”.

Shumë analistë i shohin këto interesa ekonomike si një mjet të fuqishëm për krijimin e një paqeje afatgjatë në Kashmir.

XS
SM
MD
LG