Lidhje

SHBA: Një kasolle skllevërish e kthyer në muze


Filmi 12 Years a Slave, i emëruar për çmime Oscar, bazohet në kujtimet e Solomon Northrupit, një zezak i lirë nga Nju Jorku, i cili u rrëmbye në Uashington në vitin 1841. Në këtë film përfshihet edhe jeta e James Birch, një tregtar famëkeq skllevërish, që i shiste ata në skllavëri. Në Aleksandria të shtetit Virxhinia, afër Uashingtonit, Birch u bë pronar i një kasolleje skllevërish, ku burra, gra dhe fëmijë mbaheshin para se të shiteshin si pronë në skllavëri. Sot aty ka mbetur një godinë e vetme, bazë e një organizate për të drejtat civile dhe një muze i vogël rreth skllavërisë.

Mijëra zezakë kaluan nëpër dyert e kësaj shtëpie në Aleksandria të Virxhinias dhe muzeumi Freedom House në katin e poshtëm që jep një pasqyrë të përvojës së tyre. Deri në 60 burra në të njëjtën kohë mbaheshin në këtë hapësirë të vogël, të ndarë nga familjet.
Kuratorja Julian Kiganda, e lindur në Ugandë, nuk mund ta imagjinojë përvojën e tyre, duke ditur se ata mund të mos i shikonin më kurrë të dashurit e tyre.

“Të shikosh atë që afrikano-amerikanët kanë përjetuar rregullimisht, ndarjen nga familja, me të vërtet që është për të ardhur keq”.

Shumica e skllevërve kishin punuar në plantacionet lokale, duke mbledhur duhan. Kur toka nuk ishte më e punueshme, ata shiteshin në plantacione më në jug për të mbledhur pambuk, thotë Audrey Davis, drejtoreshë e Muzeut të Historisë së Zezakëve në Aleksandria.

“Ata vinin nga zona të ndryshme dhe mbaheshin në kasolle skllevërish deri sa transferoheshin diku gjetkë ose deri sa dikush i blinte ata. Ata nxirreshin nga kasollja vetëm për t’u inspektuar”.

Kasollja e skllevërve zinte një bllok të tërë dhe ishte një prej më fitimprurëset në gjithë vendin. Aty kishte një kuzhinë, një infermieri, një hapësirë si dhomë buke dhe një obor për të bërë gjimnastikë. Tregtarët e dinin se skllevërit më të shëndetshëm do të shiteshin për një çmim më lartë, madje u jepnin atyre rroba të reja.

“Rrobaqepësit bënin veshjet e skllevërve, që ata të dukeshin më të paraqitshëm në mënyrë që të shiteshin më mirë. Vetë këta skllevër përpiqeshin t’i zhduknin këto rroga sa më parë sepse ata nuk donin që t’u kujtohej fakti se ata ishin shitur”.

Skllevërit shiteshin katër herë më shumë se sa ishin blerë.

“Njerëzit paguanin 1 mijë e 200 dollarë për skllav në atë kohë, shumë kjo e barabartë me gati 30 mijë dollarë sot. Dhe ky skllav mund të blidhte mbi 300 kilogram pambuk në ditë”.

Dera metalike në muzeum është kopje e derës origjinale, por hekurat në dritare dhe muret prej tulle janë origjinalë. Vizitorja nga Kalifornia, Jacquelyn Nordorf, thotë se është rënqethëse të imagjinosh skllevërit të mbledhur brenda këtyre mureve.

“Kjo më trishton, por është historia jonë. Ishte e frikshme ta gjeje veten në të njëjtën hapësirë ku mbaheshin skllevërit. Këta njerëz dhe jeta e tyre shiteshin”.

Kur transportoheshin, skllevërit lidheshin me njeri tjetrin për të parandaluar ikjen e tyre, ose detyroheshin të ecnin në distanca të largëta drejt plantacioneve të jugut.
Vizitorët inkurajohen që t’i prekin këto zinxhirë të skllevërve.

“Ne menduam se do të ishte e rëndësishme për vizitorët që të preknin këto gjëra dhe të ndjenin realitetin e asaj që ndodhi këtu”.

Disa njerëz ndjejnë këtu praninë e shpirtërave. Tani kjo banesë është pronë e kapitullit të Lidhjes Urbane për Virxhinian Veriore, një organizatë që fuqizon afrikano-amerikanët. Zyrtarja e lartë e kësaj organizate, Cynthia Dinkins dhe personeli i saj thonë se kanë ndjerë dhe dëgjuar gjëra që nuk mund të shpjegohen.

“Ndjeva sikur dikush më erdhi pranë dhe më preku, por nuk u frikësova fare. Edhe punonjës të tjerë kanë thënë se kanë përjetuar gjëra të tilla si hapja dhe mbyllja e derës ose zhurmë këmbësh”.

Kasollja e skllevërve u mbyll gjatë luftës civile amerikane, e cila vuri përballë veriun e vendit, që mbështeste bashkimin, dhe Konfederatës në jug, ku skllevërit ishin forca kryesore e ekonomisë. Pasi Aleksandria e mbështetur nga jugu iu dorëzua ushtarëve të veriut në vitin 1861, kjo kasolle u kthye në burg. Dhe ajo u përdor për të burgosur ushtarët e pabindu rtë unionit dhe për ironi edhe ushtarët e Konfederatës, të cilët e gjetën veten të kapur dhe të mbajtur në të njëjtën kasolle dhe mënyrë që ishin mbajtur skllevërit.
XS
SM
MD
LG