Lidhje

Katedralja e gjelbër, vepër e një arkitekti italian


Ekipet e ndërtimit në Italinë veriore po punojnë për të ngritur një katedrale të re, jo vetëm nga mosha, por edhe si koncept. Katedralja në fakt do të ngrihet vetë nga toka me rritjen e pemëve që përbëjnë objektin. Projekti në qytetin Lodi do të shërbejë edhe si memorial i veprës së artistit italian Giuliano Mauri:

Pranë rrjedhës së lumit Ada në Italinë veriore ka filluar puna për ndërtimin e katedrales së re që do të ngrihet pranë qendrës së qytetit Lodi. Por ky kantier ndërtimi është ndryshe nga të tjerët: këtu mungojnë gurët apo blloqet e betonit.

Kjo do të jetë Katedralja e Gjelbër, e ngritur me pemë gështenje dhe drurë halorë. Tani ekskavatorët po gërmojnë për vendosjen e kolonave, ku do të lulëzojnë pemë të gjalla në një hapësirë prej 1600 metrash katrore.

Projekti ishte vepër e artistit italian Guiliano Mauri, i cili vdiq në 2009. Familja e tij vendosi ta vërë në jetë imagjinatën e artistit. Ai kishte dashur gjithmonë që në qendër të qytetit të tij të kishte një katedrale prej pemësh, tani këtë vizion po e realizon mbesa e tij Francesca Regorda, kuratore e projektit.

“Katedralja, për Giuliano Maurin është vepra e artit që përfaqëson më së miri poezinë dhe filozofinë e tij artistike. Është një punë e vështirë, por edhe shumë përmbushëse. Është ideja e magjisë që sjell një vepër që rritet, një vepër e gjallë. Katedralja e Gjelbër është me kuptimin e plotë të fjalës një vepër e gjallë dhe që do të vazhdojë të rritet. Ai e projektoi me idenë që njerëzit të preken emocionalisht dhe të mrekullohen prej saj”.

Giuliano Mauri njihej për vepra arkitektonike që i përshtateshin më së miri natyrës.

“Veprat e tij kanë shumë respekt për natyrën. Ato janë në harmoni me natyrën. Nuk konsiderohen si ndërtime të reja. Ai thoshte se nuk po shpikte ndonjë gjë të re, thjesht po ndërtonte diçka bazuar në një sugjerim nga vetë natyra. Kur kolonat të hiqen dhe të mbeten vetëm pemët që janë mbjellë aty, kujtimi i veprës së tij do të mbetet këtu dhe në këto bimë. Prandaj Giuliano Mauri është pjesë e rrymës “Arti në Natyrë”. Ai donte të punonte në natyrë, për natyrën dhe me natyrën, për ta mbrojtur atë”.

Kolonat që po vendosen tani në vendin ku do të ngrihet katedralja janë të përkohshme. Ato thjesht do të shërbejnë për t’i ndihmuar pemët të rriten në një drejtim të caktuar dhe pastaj do të hiqen. Sipas zonjës Regorda, kolonat do të hiqen pas afro 20 vjetësh dhe do të mbeten vetëm pemët që do të kenë krijuar një siluetë katedraleje, vazhdimisht në rritje, në ndryshim.

“Të jep ndjesinë e një vepre madhështore, por njëkohësisht të lehtë, për arsye se është bërë me pemë. Më jep një ndjesi lirie personale mendimi,” thotë një vizitor.

Artisti punoi për herë të parë për një katedrale të gjelbër në 2001 në Valsugana. Pas 15 vjetësh, katedralja e tij e parë është rritur dhe në çdo stinë merr një formë të re. Në vitin 2009, kur artisti vdiq, kuratorët hoqën kolonën mbajtëse të pemës qendrore në nder të Maurit.

Artisti vazhdoi të punonte dhe ëndërronte për projekte të tjera deri në fund të jetës. Djali i tij, Mauro Mauri ishte pranë tij kur ai skicoi planet për katedralen e re:

“Kur ishte në spital, mori një copë gazetë dhe skicoi këto forma, këto përmasa. E menduam se duhet t’ia realizonim këtë vizion që kishte në shtratin e vdekjes. Po të kishte jetuar, do t’i kishte bërë ndryshime, do ta kishte bërë më të madhe, më madhështore. Por ne i qëndruam besnikë asaj që la ai”.

Familja e artistit shpreson ta përfundojë punën deri në fillim të muajit të ardhshëm. Vepra e artistit do të përjetojë sezonin e saj të parë të gjallë këtë vjeshtë.

XS
SM
MD
LG