Lidhje

Katerin Ashton nxit bashkëpunimin Kosovë - Serbi


Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha sot se Kosova dhe Serbia duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimi rajonal është thelbësorë për realizimin e këtij synimi. Ajo i bëri këto komente në kuadër të vizitës së saj në Kosovë, gjatë së cilës me mikpritësit e saj, ka diskutuar rrugën që duhet të ndjekin vendet e rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo tha se integrimi i Kosovës është pikëpamje e përbashkët që duhet të shndërrohet në realitet. Në një konference për gazetarë në Prizren, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ajo tha se është biseduar për shqetësimet rreth liberalizimit të vizave, marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian, dhe rolin e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, ndërsa vuri theksin në bisedimet që janë duke u zhvilluar më ndërmjetësimin e kabinetit të saj ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dialog është një rrugë praktike për të siguruar se jeta e qytetarëve do të jetë më e lehtë dhe më e mirë dhe rrjedhojat praktike të tij do të bëjnë ndryshimin në jetën e njerëzve të këtij vendi”, tha zonja Ashton.

Ajo erdhi në Kosovë nga Beogradi ku qëndroi në ditën kur autoritetet e atjeshme, arrestuan ish komandantin e serbëve të Bosnjës Ratko Mladic. Arrestimi i tij nga autoritetet serbe, komentohet si mënjanim i pengesës kryesore drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Zonja Ashton tha se ky arrestim është një moment i rëndësishëm për Serbinë.

Por rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon shumë gjëra për të gjithë. Ajo kërkon shumë punë në çështjet teknike që duhet të zgjidhen dhe kërkon përparim në drejtimin politik me tërë Bashkimin Evropian. Mendoj se kjo është kuptuar shumë mirë në Serbi dhe mendoj se është kuptuar shumë mirë është këtu. Ajo që unë dëshiroj është që të punojmë së bashku për t’u siguruar se do të jemi në gjendje të mirëpresim Kosovën dhe Serbinë në Bashkimin Evropian në mënyrën më të mirë të mundshme, tha ajo, duke vënë theksin tek nevoja e forcimit të marrëdhënieve rajonale si çështje me rëndësi thelbësore për integrimin në Bashkimin Evropian”, tha zonja Ashton.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci tha ndërkaq se bashkëpunimi dhe fqinjësia e mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, hapin të ardhmen e sigurt evropiane të të dyja vendeve.

““E ardhmja evropiane e Serbisë nuk varet dhe nuk lidhet me emrin e Ratko Mladiqit, por me sjelljen evropiane të Serbisë në raport me Kosovën”, tha kryeministri Thaçi,

Zonja Ashton gjatë ditës vizitoi edhe Misionin e EULEX-it duke bërë thirrje për mbështetje ndaj tij.

Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e përkrahin në tërësi Misionin dhe punën të cilën është duke u përpjekur ta bëjë ai. Përballja me çështjet e rendit dhe ligjit, është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e Kosovës, qytetarëve të saj dhe është element thelbësor për ambiciet që lidhen me punën dhe zhvillimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha zonja Ashton.

EULEX-i me rreth 2 mije policë, gjykatës e prokurorë është misioni më i madh në historinë e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG