Lidhje

Raport i KiE për Shqipërinë: Shqetësim korrupsioni në drejtësi


Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës Nils Muižnieks shpreh shqetësim lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin e Drejtësisë shqiptare. Në raportin e tij për Shqipërinë publikuar në Strasburg në vijim të vizitës së tij shtatorin e kaluar në Tiranë komisioneri inkurajon autoritetet që të rrisin përpjekjet për hetim dhe ndjekje penale për të gjitha rastet e korrupsionit në gjyqësor, ndërkohë që sugjeron forcimin e rolit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai shprehet i shqetësuar për pandëshkueshmërine e oficerëve të zbatimit të ligjit në rastet e shkeljes së të Drejtave të njeriut, përfshirë ato të 21 janarit, shkruhet në raport
Komisioneri i Këshillit të Evropës në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:39 0:00

Emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve në Shqipëri, vecanërisht ata të Gjykatës së lartë, roli i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë janë cështjet që shqetësojnë më shumë komisionerin Drejtave të njeriut në Këshillin e Europës Nils Muižnieks. Në raportin e tij për Shqipërinë ai shprehet se “niveli i lartë i korrupsionit të raportuar për gjyqësorin, pengon seriozisht funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë dhe minon besimin e publikut tek drejtësia dhe sundimi i ligjit në Shqipëri”. Ndërsa mirëpret ndryshimet e vitit 2012 në Kushtetutën e Shqipërisë që kufizojnë imunitetin e gjyqtarëve, Komisioneri “inkurajon autoritetet që të rrisin përpjekjet për të siguruar kryerjen e hetimeve dhe ndjekjeve penale të efektshme për të gjitha rastet e korrupsionit në gjyqësor”.

Komisioneri i Strasburgut shprehet për “nevojën e veprimeve më të vendosura, duke përfshirë më shumë transparencë në emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe procedura të bazuara në meritë”. Ai rekomandon depolitizimin në funksionimin e gjyqësorit, duke filluar me forcimin e pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. "Anëtarët e këtij këshilli duhet të votohen me shumicë të cilësuar në parlament dhe duhet të ushtrojnë një ndikim më vendimtar në emërimin, promovimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe ata të Gjykatës së Lartë. Çdo ndërhyrje politike e pavend në funksionimin e gjyqësorit duhet të shmanget. Kjo nënkupton edhe heqjen e përfshirjes së Ministrit të Drejtësisë në procedimet disiplinore të gjyqtarëve", shprehet ai.

Komisioneri, gjithashtu, vë në dukje me shqetësim se sistemi aktual i emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me votat e shumicës së thjeshtë parlamentare, “mbart rrezik serioz për ushtrimin e një ndikimi të papërshtatshëm politik”. Ai u bën thirrje autoriteteve që të miratojnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, “me qëllim që roli kryesor në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë t’i jepet Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Ndërsa autoritetet ftohen që të ndërmarrin masat e duhura legjislative, të cilat do të mundësonin votimin dhe miratimin me shumicë të cilësuar në Parlament të Prokurorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Reforma në Drejtësi u cilësua mbrëmë si një ndër prioritetet e parlamentit. Lidhur me këtë cështje presidenti Bujar Nishani tha sot se reformat për transparencën dhe pavarësinë e institucioneve është e domosdoshme dhe do ketë mbështetjen e tij por
“në çdo rast kur mund të tentohet apo të synohet marrja nën kontroll politik nga ana e sistemit të drejtësisë, kjo do të jetë e papranueshme pasi, në gjykimin tim, marrja e sistemit të drejtësisë nën kontrollin politik është forma më e lartë e korrupsionit”, u shpreh ai.

Në raport ka vërejtje për “ritmin shumë të ngadaltë me të cilin Shqipëria ekzekuton vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për mangësitë në zbatimin e legjislacionit të ndihmës juridike të cilat sipas tij pengojnë qasjen efektive në drejtësi, veçanërisht nga grupet në nevojë, ndërsa konsideron një “problem të kahershëm” atë të keqtrajtimit dhe pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga oficerët e zbatimit të ligjit, duke përfshirë ato që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, të cilat sic shprehet ai në raport, vazhdojnë të jetë një shqetësim serioz.
.
XS
SM
MD
LG