Lidhje

Studim ri mbi ndikimin e të kënduarit te shëndeti


Dëgjimi i muzikës është kënaqësi, por sipas studiuesve amerikanë kënga bën mirë edhe për shëndetin. Ata po vizitojnë grupet e korit në komunitete dhe kurset e këngës për të moshuarit për të zbuluar se si kjo mund të ketë një efekt terapeutik. Një studim që po zhvillohet në Kaliforni synon të kuptojë nëse të kënduarit mund t’i zgjasë jetën njeriut.

Gjatë katër viteve të ardhshme studiuesit në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko do të studiojnë dhjetëra grupe kori të sapo-krijuara në qendrat e të moshuarëve, apo klubet e qytetit.

Nadine Davenport Jones vjen rregullisht në këtë qendër.

"Është kënaqësi ta mendosh se zëri yt është pjesë e këtij produksioni të vogël," thotë ajo.

Studiuesit besojnë se pjesëmarrja në kor mund të ndihmojë aftësinë mendore të të moshuarve dhe shëndetin e tyre emocional, parandalimin e depresionit dhe ndoshta vonon fillimin e sëmundjes së alcajmerit.

Ja ç'thotë drejtuesja e këtij studimi, profesore Julene Johnson në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko:

"Të moshuarit që këndojnë në një kor rrëzohen më rrallë dhe mund të kenë këmbë më të forta."

Studiuesit besojnë se qytetarët e moshuar përfitojnë nga aktivitetet fizike si ngritja në këmbë dhe ulja dhe projektimi i zërit, veprim i cili mund të ndihmojë në forcimin e mushkërive.

"Deri në 30 përqind e të moshuarve ankohen për vështirësi në frymëmarrje kështu që ndoshta këndimi në kor përmirëson sistemin e frymëmarrjes."

Para se të fillonin të këndonin vullnetarisht, anëtarët e korit u testuan për gjërat si balanca, forca e muskujve dhe kapaciteti i frymëmarrjes.

Ata do të testohen përsëri në fund të studimit.

Rezultatet e studimit nuk do të publikohen deri në vitin 2017, por pjesëmarrësit në këtë studim tashmë janë të kënaqur që janë anëtarë të një kori, duke thënë se aktiviteti grupor thjesht i bën ata të ndjehen të lumtur.
XS
SM
MD
LG