Lidhje

Kenia, 59 të vrarë dhe 175 të plagosur


Presidenti Uhuru Kenyatta tha se të paktën njëri prej sulmuesve është vrarë gjatë përpjekjeve për t’i dhënë fund rrethimit në një kompleks dyqanesh në Nairobi

Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta tha se të paktën njëri prej sulmuesve është vrarë gjatë përpjekjeve për t’i dhënë fund rrethimit vdekjeprurës në një kompleks dyqanesh në Nairobi, kur mes 10 dhe 15 vetash qëndrojnë të bllokuar në një pjesë të ndërtesës. Ndërkohë, këshilltarët izraelitë po bashkëpunojnë në operacionin e forcave keniane të sigurimit për të kapur personat e armatosur, që vranë të paktën 59 veta dhe plagosën 175 të tjerë. Zyrtarët thanë se vazhdon operacioni për kapjen e personave të armatosur, si burra edhe gra, si dhe për të shpëtuar një numër të papërcaktuar pengjesh, që mbahen në kompleksin tregtar.

Sekretari i Punëve të Brendshme, Joseph Ole Lenku tha se mbi 1,000 njerëz janë evakuar deri tani nga qendra, duke e quajtur situatën "shumë delikate". Ai tha se zyrtarët besojnë se mes 10 dhe 15 veta morën pjesë në sulm, madje ai u zotua se ata do të përballen me forcën e plotë të ligjit. Në vendin e ngjarjes ishte edhe kandidati presidencial, Ben Mulwa.

“Ata hapën zjarr në drejtim të rojeve dhe vazhduan hapjen e zjarrit pa dallim. Ata vunë në shënjestër veçanërisht rojet e sigurimit. Fatkqësisht, unë pashë një roje që u godit në kokë dhe vdiq menjëherë. Plumbat erdhën edhe në drejtim tim dhe unë shpëtova për pak”.

Grupi terrorist somalez al-Shabab mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ai u krye në hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake të Kenias në Somali. Një zëdhënës i grupit al-Shabab tha me anë të një mesazhi: "ose largohuni nga vendi ynë, ose jetoni me sulme të vazhdueshme".

Forcat keniane hynë në Somali para 2 vjetësh për të luftuar militantët e al-Shababi, të cilët shpesh kanë kaluar kufirin për të ndërmarrë sulme. Dëshmitarët thanë se autorët e sulmit ishin të maskuar dhe hodhën granada dore gjatë orëve të ngarkuara në kompleksin e dyqaneve. Mes të plagosurve kishte edhe fëmijë. Presidenti kenian Uhuru Kenyatta u përpoq të siguronte kenianët e tronditur në një fjalim që mbajti disa orë pas sulmit.

"Terrorizmi në vetvete është një filozofi prej frikacakësh. Mënyra e jetesës tonë në liri, të bashkuar dhe në konsideratë për njeri tjetrin përbën fitoren tonë ndaj atyre që nuk na duan të mirën”.

Kanadaja dhe Franca thanë se mes të vrarëve ishin edhe dy qytetarë të tyre. Shtetet e Bashkuara thanë se mes të vrarë nuk kishte ndonjë shtetas amerikan, por pati të plagosur amerikanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG