Lidhje

Al-Shabab betohet për sulme të reja


Grupi militant al-Shaba, i cili mori përsipër autorësinë e vrasjes së 148 personave në një kampus universitar në Kenia, ka premtuar se do të kryejë një tjetër gjakderdhje. Deklaratat e grupit terrorist pasojnë zotimet e zyrtarëve kenianë për të forcuar masat e sigurisë në përgjigje të masakrës.

Ministri i Brendshëm i Kenias, Joseph Nkaissery, tha se janë kryer disa arrestime për masakrën në universitet.

“Kemi arrestuar edhe tre persona të tjerë, pra në total pesë veta janë të arrestuar. Do t’ju informojmë në vazhdimësi, pasi siç e dini gjatë një operacioni gjërat zhvillohen më tej.”

Arrestimet i paraprinë deklaratës së grupit al-Shabab që premtoi që “tjetër gjakderdhje”.

Grupi militant i përqeshi zyrtarët duke thënë se “asnjë lloj masash sigurie nuk do të jetë në gjendje të garantojë sigurinë publike”.

Zyrtarët kenianë kanë premtuar rritjen e masave të sigurisë në universitetin që ndodhet në pjesën lindore të vendit.

Këto premtime për më shumë siguri u bënë ndërkohë që po kryhet në Nairobi identifikimi i viktimave të sulmit në kolegjin universitar Garissa.

“Nuk kishte masa të mjaftueshme sigurie. E them këtë pasi pati fillimisht të shtëna me armë nga distancë e largët, pa iu kundërpërgjigjur askush. Po të kishte patur një reagim të menjëhershëm, do ishim shpëtuar të gjithë.”

Sulmuesit e al-Shabab mësynë në kampusin universitar përpara agimit dhe filluan të qëllojnë ndaj kujtdo që shikonin. Dëshmitarët thanë se në vazhdim ata u përqëndruan tek vrasja e të krishterëve, ndërsa liruan disa myslimanë.

Forcat e sigurisë keniane luftuan për rreth 15 orë dhe arritën të shpëtojnë më shumë se 500 studentë përpara se të vriteshin sulmuesit.

Kenia kishte patur të dhëna të freskëta të shërbimeve të zbulimit që tregonin se al-Shabab po planifikonte të sulmonte një universitet kryesor, ndërkohë që paralajmërimi për të rritur sigurinë pati ardhur rreth një vit më parë.

“Më kujton sulmin në Westgate, ndërkohë që më duket sikur nuk kemi nxjerrë mësime që atëherë. Më duket sikur pasi mbaruan hetimet dhe u përpiluan rekomandime pas sulmit në qendrën tregtare Westgate, nuk u mor seriozisht nevoja urgjente për më shumë masa sigurie.”

Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta, premton se do të godasë terroristët. Qeveria e Kenias po ofron 220 mijë dollarë shpërblim për një anëtar të grupit al-Shabab, Mohammed Mohamud Kuno, i cili mendohet se është ideatori i sulmit.

Grupi al-Shabab tha se sulmi ishte një hakmarrje për veprimtarinë e ushtrisë keniane në vendin fqinj Somali, ku grupi militant islamik ka qendrën e tij.

XS
SM
MD
LG