Lidhje

Sot, 50-vjetori i vrasjes së Presidentit Kennedy


Shtetet e Bashkuara po shënojnë 50 vjetorin e vrasjes së Presidentit John Kennedy me ceremoni përkujtimore. Presidenti Barak Obama ka dhënë urdhër që flamujt në të gjithë vendin të ulen në gjysmë shtizë, për të nderuar Presidentin Kennedy.

Presidenti Obama e quajti paraardhësin e tij një "shërbyes të jashtëzakonshëm publik", që kishte vizion të gjerë dhe ishte i mbushur me idealizëm.

Të mërkurën, Zoti Obama, President Bill Clinton dhe bashkëshortet e tyre, vendosën një kurorë në varrin e presidentit Kennedy në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.

Sot, në Dallas të Texasit - qyteti jugperëndimor ku u vra presidenti Kennedy, do të bien këmbanat e kishave në shenjë nderimi.

Një dëshmitar okular i vrasjes thotë se ai ende nuk arrin ta besojë dot atë që ndodhi.

"Edhe sot përpiqem ta bëj veten të besojë se isha vërtet aty, se presidenti u vra mu përballë vendit ku unë ndodhesha. Njeriu e ka të vështirë ta kuptojë këtë menjëherë. Edhe sot pas 50 vjetësh më duhet të reflektoj pak për të besuar se kjo ndodhi vërtet," thotë James Tague.

John Kennedy kishte qenë president vetëm 1,000 ditë dhe ishte vetëm 46 vjeç kur u qëllua për vdekje ndërsa ndodhej në një makinë të hapur.

Dikush, një simpatizant i Presidentit Kennedy, ka ngritur një stendë pranë vendit të tragjedisë, për të bindur njerëzit se në këtë vrasje kishte gisht më tepër se një njeri i vetëm.

Vrasësi i presidentit, Lee Harvey Oswald, u qëllua për vdekje gjatë paraburgimit në polici, ndërkohë që xhirohej nga kamerat televizive.

"Dëgjova shumë fakte të reja. Nga çdo gjë që kam lexuar apo parë në të kaluarën, duket sikur vrasësi ishte Oswald, por tani shikoj se kjo histori paska edhe aspekte të tjera," thotë turisti Ed Hernandez.

Pas vrasjes së Presidentit Kennedy, shumë amerikanë mbajtën zi për ditë të tëra. Dhimbjen e shtonte sidomos pamja e të vesë së tij, Jacqueline dhe e dy fëmijëve të vegjël në ceremoninë mortore për njeriun e tyre të dashur.
XS
SM
MD
LG