Lidhje

Sulmi në Nairobi tregon influencën e Al Kaidës në Bririn e Afrikës


Sulmi nga militantët e al-Shabab-it në qendrën tregtare Westgate në Nairobi shton shqetësimet se ky grup po zgjeron synimet e tij përtej futjes nën kontroll të Somalisë. Analistë të sigurisë thonë se al-Shabab është transformuar nga një grup militant rajonal në një organizatë terroriste që po rreshtohet nga afër me Al Kaidën.
Al Shabab publikoi këtë foto të martën, për të cilën thotë se tregon militantët brenda qendrës tregtare në Nairobi. Nuk është e qartë se kur është marrë fotografia.
Zgjedhja e një “objektivi të butë” është karakteristikë e grupit, thotë Sajjan Gohel, drejtor sigurie me grupin analitik Fondacioni Azi Paqësor në Londër.

“Shanset për të shkaktuar dëme maksimale janë të mëdha. Po ashtu përhapet frika, pasi terrorizmi bëhet tashmë i dukshëm. Egziston mundësia që ngjarja të regjistrohet pasi teknologjia e mundëson këtë. Ky është oksigjeni i publicitetit për grupet terroriste dhe al-Shababin në veçanti.”

Al Shabab thotë se e ndërmori sulmin si hakmarrje kundër pranisë së 4 mijë trupave nga Kenia në Somali, të cilët po luftojnë militantët nën uniformën e Bashkimit Afrikan.
Grupi realizoi një sulm vetvrasës në kryeqyetin e Ugandës, Kampala në 2010 duke vrarë 76 njerëz. Uganda po ashtu ka disa mijëra trupa në Somali.

Objektivi kryesor i Al Shabab-it ështe rimarrja e kontrollit të Soamlisë, por gjithashtu vëmendja e tij është përqendruar edhe tek sulmet ndaj Perëndimit, thotë Alexander Meleagrou-Hitchens me Kolegjin Kings në Londër.

“Mënyra për ta bërë këtë është kryengritja dhe po ashtu goditja e vendeve të përfshira në luftën kundër al-Shababit në Somali. Këtu përfshihet Kenia dhe Uganda. Kenia dhe Uganda janë në krye të listës së objektivave të tyre. Ndërsa në arenë globale, ka një dëshirë për të goditur ata që i shikojnë si mbështetës së luftës kundër tyre, si Amerika dhe Izraeli. Kenia dhe Uganda shikohen si mbështetës të tyre.”

Sulmi ndaj jo-myslimanëve siç ndodhi në rastin e fundit, tregon se al-Shabab gjithnjë e më shumë i ka rrënjët tek ideologjia e al-Kaidës, thotë Goel.

“Gjatë viteve të fundit kemi parë zhvillimin e një konflikti brenda al-Shabab-it ku udhëheqja kryesore është radhitur ideologjikisht me qendrën e al-Kaidës, tani të udhëhequr nga Ayman al-Zawahiri. Ky është elementi që ka ndërmarrë këtë lloj sulmi, ose kështu besohet se ka ndodhur.”

Autoritetet në Kenia dhe shërbimet e huaja të zbulimit do të mundohen të zbulojnë më shumë rreth ideologjisë dhe lidhjeve ndërkombëtare sapo të identifikohen sulmuesit.
XS
SM
MD
LG