Lidhje

Militantët somalezë vrasin 12 vetë në Kenia


Zyrtarët në Kenia thonë se militantë të dyshuar somalezë gjatë një sulmi në një zonë kufitare vranë të paktën 12 njerëz.

Zyrtarë të qeverisë thonë se të paktën tre policë rezervistë janë në mesin e të vrarëve në sulmin e djeshëm në verilindje të Kenias, pranë kufirit të saj me Somalinë. Ata thonë se oficerët e policisë të cilët iu përgjigjën sulmit ranë në një pritë të militantëve, dhe të paktën dy automjete të policisë u shkatërruan gjatë sulmit.

Kenia është përballur me një seri sulmesh për të cilat ka fajësuar grupin militant somalez al-Shabab, duke përfshirë një sulm ndaj kryeqytetit, Nairobi, të premten.

Ky sulm ndodhi menjëherë pasi Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore lëshuan një paralajmërim kundër udhëtimit të qytetarëve të tyre në Kenia, për shkak të frikës për sulme të mundshme në këtë vend.
XS
SM
MD
LG